Showbiz

Lopez flet me emocion për dashurinë mes saj dhe Affleckut

Këngëtarja dhe aktorja e famshme, Jennifer Lopez, thotë se ndarja e parë nga Ben Afflecku, i bëri ata që të gjitha energjitë t’i fokusojnë në karrierë.

Në një intervistë të fundit, 53-vjeçarja tregoi se si ata u zhytën plotësisht në punë, pavarësisht se e kishin kuptuar se janë çmendurisht të dashuruar në njëri-tjetrin, pasi u takuan në xhirimet e filmit të vitit 2003, “Gigli”. Megjithëse kishin vendosur të fejohen, fatkeqësisht çifti përfundoi duke e anuluar martesën në shtator të atij viti.

“Mendoj se ajo që ndodhi mes nesh gjatë kohës sa po punonim me njëri-tjetrin, ne u bëmë miq shumë të mirë. Më pas e kuptuam se jemi të çmendur pas njëri-tjetrit. Pas përfundimit të filmit unë e gjeta veten duke menduar vazhdimisht për të. Thjeshtë, kur ndihesh ashtu, e kupton se ky është personi me të cilin dëshiron ta kalosh jetën. Lidhja jonë u zhvillua Brenda disa muajsh, nuk ishte diçka e menjëhershme sepse nuk na lejohej ta bënim një gjë të tillë”, deklaroi Lopez gjatë intervistës me prezantuesin Zane Lowe, për radion “Apple Music 1”, ku kishte shkuar për ta shënuar 20-vjetorin e albumit të saj shumë të suksesshëm, “This Is Me... Then”.

Duke e fajësuar vëmendjen e madhe të mediave për ndarjen e tyre, këngëtarja që është nënë e dy fëmijëve dhe e cila u martua me Affleckun gjatë këtij viti, pothuajse 20 vjet pas ribashkimit të tyre, tutje deklaroi: “Lidhja jonë ishte e re dhe u shndërrua në sensacion të publikut, çka përfundimisht na shkatërroi. Vëmendja e madhe e mediave ishte arsyeja kryesore që na detyroi të ndahemi, pra gjithë energjia negative që vinte nga jashtë. Por ne duheshim shumë. Prandaj ishte e vështirë ta përballonim largimin nga njëri-tjetri. Nganjëherë më dukej e padrejtë, por asnjëri nga ne nuk mund të vepronim ndryshe. Prandaj vendosëm të ecim para me jetën tonë. Mendoj se në një mënyrë të çuditshme, kjo ndarje na motivoi të bëheshim personat që jemi sot dhe të përfundonim duke bërë gjëra të jashtëzakonshme në karrierë. Beni u fokusua plotësisht në punën e tij, njësoj sikurse unë. Por, thjeshtë nuk po i bënim gjërat së bashku. U desh t’i vazhdonim angazhimet larg njëri-tjetrit. Ai filloi të merret me regji, i fitoi dy çmime “Oscar”, dhe po I linte gjurmët e tij në industrinë e filmit. E njëjta gjë ndodhi edhe me mua. U përkushtova plotësisht ndaj punës dhe po e ndërtoja karrierën që e kisha dashur gjithmonë”.

Tutje, ylli i hitit “My Love Don’t Cost a Thing” tregoi se kishte refuzuar t’I interpretojë këngët e shkruara në kohën e ndarjes nga aktori i famshëm.

Sipas yllit JLo, Affleck tani është fansi më i madh i saj dhe i pëlqen t’i dëgjojë të gjitha këngët e saj.

“Unë nuk doja as t’i performoja ato këngë. Ishte shumë e dhimbshme për mua pas ndarjes nga Beni. Kur e anuluam dasmën para 20-vjetëve e përjetova zemërthyerjen më të madhe të jetës sime. Sinqerisht ndihesha se do të vdes. Kjo gjë më çrregulloi për pothuajse dy dekada. Dhe është qesharake sepse kur u ribashkuam, Ben më thoshte, ‘Ti asnjëherë nuk i performove këto këngë. Më vjen mirë që nuk e ke bërë këtë”. Dhe kishte të drejtë sepse ishte shumë e dhimbshme për mua. Ato këngë ma kujtonin një pjesë timen që u desh ta lija prapa, në mënyrë që ta vazhdoja jetën tutje dhe të mbijetoja. Sigurisht se ishte një taktikë mbijetese nga ana ime”.

Dy vjet pas ndarjes nga Lopezi, ylli i filmit “Argo” u martua me aktoren Jennifer Garner, me të cilën I ka fëmijët, Violet, Seraphina dhe Sam. Kurse, Jennifer përfundoi duke u martuar me këngëtarin Marc Anthony, me të cilin i ka binjakët, Emme dhe Max.

Por, një dashuri aq e madhe si ajo mes Jenniferit dhe Benit, nuk ka si të përfundojë ndryshe veçse me ribashkim dhe martesë.

Këngëtarja dhe aktorja tregon se, Affleck, në unazën e re të fejesës e ka gdhendur fjalinë, “Nuk po shkoj askund”, ngase ka dashur ta sigurojë atë që kësaj radhe, lidhja e tyre do të jetë e përhershme.

Image