Dyshja e njohur e showbizit, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck, do t'i shpenzojnë 50 milionë dollarë për një shtëpi me 10 dhoma gjumi për familjen e tyre.
Çifti i dashur për publikun, që u ribashkua vitin e kaluar, besohet se ka arritur marrëveshje për ta blerë një shtëpi prej 1.850 metrash në katrorë në Los Angeles. Kjo pronë ka hapësirë të mjaftueshme për tre fëmijët e aktorit 49-vjeçar dhe binjakët e këngëtares së hitit “On the Floor”.
Sipas burimeve, Affleck dhe Lopez duan që ta krijojnë një familje ku fëmijët e tyre rriten së bashku.
Sipas mediave të huaja, shtëpia luksoze vjen e kompletuar me 17 banja, disa kuzhina, një sallë kinemaje, palestër, pishinë dhe hapësira tjera private ku ata mund t’i shijojnë pamjet e bukura të natyrës.
Lajmi për blerjen e shtëpisë së përbashkët nga çifti, vjen pak kohë pasi në mediat e huaja u raportua se, Ben dhe Jennifer, ishin në kërkim të një shtëpie në Londër ku po planifikonin t’i kalonin pushimet verore.
Duke qenë se aktorit dhe këngëtares u bie shpesh të udhëtojnë për punë, ata po mundohen të sigurohen që të kenë mundësi të kalojnë sa më shumë kohë me fëmijët e tyre.
Affleck i ka fëmijët, Violet, Serafina dhe Samuel, me ish-bashkëshorten Jennifer Garner, kurse JLo i ka binjakët, Max dhe Emme, nga martesa e kaluar me muzikantin e njohur latin, Marc Anthony.
Në një intervistë të realizuar në muajin shkurt për revistën prestigjioze “Vogue”, Lopez e përshkroi romancën me Affleckun si “një lidhje e lumtur dhe e shëndetshme”.
“Tani jemi më të moshuar, më të mençur, kemi më shumë eksperiencë dhe gjendemi në periudha tjera të jetës. Kemi fëmijë të rritur dhe duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për ta. Që të dy e ruajmë shumë raportin tonë dhe familjet tona, ngase të gjithë jemi duke përjetuar momente të bukura të jetës. Thjeshtë ndihem e lumtur dhe me fat që jam në një lidhje të këtillë ku mbizotëron gëzimi dhe dashuria, dhe dua ta bëjë të pamundurën për ta mbajtur këtë raport tonin sa më të sigurt. E meritojmë vërtetë dhe e konsiderojmë lidhjen tonë shumë të shenjtë”, deklaroi këngëtarja.
Ben Affleck është angazhuar për të luajtur në filmin e ardhshëm “Barbie”, i cili po xhirohet në Hertfordshire të Britanisë së Madhe, kurse Jennifer Lopezi ka ca kohë që e ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me platformën digjitale Netflix, për prodhimin e disa emisioneve televizive dhe projekteve filmike. I radhës do të jetë filmi “The Mother”, ku ajo e portretizon një vrasëse të rrezikshme që detyrohet të kthehet në këtë profesion nga i cili kishte hequr dorë, në mënyrë që ta mbrojë vajzën e saj të cilën e kishte dhënë për adoptim para shumë vjetëve.