Këngëtarja amerikane Lizzo e ka cilësuar pranimin e trupit si “akt radikal”, teksa flet hapur për rrugëtimin e saj të humbjes së peshës.
37-vjeçarja, e lindur me emrin Melissa Viviane Jefferson, ka ndarë në rrjete sociale ndryshimet në trupin e saj gjatë vitit të fundit dhe së fundmi ka treguar për revistën Women’s Health se ndihet mirë me pamjen e saj të tanishme.

“Të kesh mendime pozitive për trupin është akti radikal i guximit për të ekzistuar me zë të lartë dhe me krenari në një shoqëri që të ka thënë se nuk duhet të ekzistosh”, është shprehur ajo.
Lizzo ka theksuar se ende e konsideron veten me mbipeshë dhe se pavarësisht ndryshimeve, ajo vazhdon të veshë rroba më të madha.

“Më pëlqen si dukem tani. Ende mendoj se jam e shëndoshë. Ende kam të njëjtat rrudha, të njëjtën bark, të njëjtat kofshë, vetëm se tani jam një version më dobët”, ka shpjeguar ajo.
Këngëtarja ka shtuar se për të, ky proces nuk ka të bëjë me qëndrimin e njëjtë, por me vetëpranimin dhe forcën për t'u përballur me sfidat.
Pasi ndau rezultatet e saj në publik, Lizzo është përballur me spekulime se mund të ketë përdorur ilaçin për humbje peshe, Ozempic, ose të ketë bërë ndërhyrje kirurgjikale. Por këngëtarja u shpreh se asnjë nga këto nuk do ta bënte më pak krenare për veten.

“Nëse e kam bërë gjithë këtë me Ozempic, nëse e kam bërë me kirurgji, prapë do të isha po aq krenare për veten, sepse kjo punë është e vështirë, ka thënë ajo. Kushdo që ka jetuar ndonjëherë në një trup më të madh, në këtë shoqëri të sotme, e di se vetëm të ekzistosh nuk është e lehtë.”
Në një intervistë në podcastin Just Trish në muajin qershor, Lizzo konfirmoi se e kishte provuar shkurtimisht Ozempic, por e kishte ndërprerë.
“Ozempic funksionon sepse të bën të hash më pak, apo jo? Por nëse mund ta bësh këtë me vetëkontroll, është njësoj”, ka thënë ajo.
Në fillim të muajit, ajo ka ndarë një seri fotografish “para dhe pas” që shfaqnin ndryshimin e saj trupor, duke treguar se gjithçka ishte rezultat i përkushtimit dhe jo i medikamenteve.
"Unë punoj shumë, ushtroj tri herë në javë, shkoj në sauna dhe kardio çdo ditë, kam rikthyer proteinën shtazore në dietën time, kam punësuar një shef kuzhine që më ndihmon të planifikoj ushqimet dhe të kontrolloj kaloritë, hoqa dorë nga kafja me krem e mbushur me sheqer, pijet e gazuara dhe patatinat... Kam lënë edhe alkoolin për një kohë të gjatë... (por tani po pi përsëri se e kam merituar!)”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.