Është liruar nga qelitë reperi i njohur Arkimed Lushaj. Gjykata ka vendosur lirinë me kusht për reperin e njohur si “Stresi”, bën të ditur "Panorama".
Ai u arrestua rreth tetë muaj më parë pasi u kap në një hotel me një pistoletë pa leje.
Këngëtari 31-vjeçar u arrestua në ambientet e një hoteli në zonën e Linzës në Tiranë më 17 tetor të vitit të shkuar, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën ku ai po qëndronte, Policia gjeti një armë zjarri, pistoletë “Pjetro Beretta”, me 12 fishekë, që dyshohet të jetë pa lejen e autoriteteve, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike të llojit kokainë.
Në momentin e arrestimit, reperi ka qenë në shoqërinë e një vajze e cila është proceduar penalisht.
“Gjatë arrestimit këtij shtetasi në ambientet e një hoteli të ndodhur në vendin e quajtur Linzë gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit ‘Pjetro Beretta’, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.
Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme filloi procedimi penal në gjendje të lirë në lidhje me veprën penale të ‘Moskallzimit të krimit’, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal ndaj shtetases P.Ç., 20 vjeçe, banuese në Tiranë”, njoftoi Policia në atë kohë.
Por ky nuk ishte rasti i vetëm që Stresi ka pasur probleme me Policinë, madje në një rast, ai u arratis nga ambientet e Komisariatit, duke shkaktuar një situatë të vështirë për punonjësit e Policisë.
Në atë kohë, këngëtari u arrestua thuajse nudo në hotel. Nëna e këngëtarit tha pak ditë më vonë, se djali i saj ka gati padinë civile që do ta depozitojë në gjykatë, për prishje të etikës dhe të privatësisë.
“Kam një padi civile. Atë do ta paraqesë Stresi për prishjen e etikës dhe privatësisë. Ai ka ankimuar vendimin e gjykatës dhe anashkalimin e tij”, tha nëna.
