Showbiz

Kompania “Puma” e ka mirëpritur Dua Lipën në familje

Marka e njohur e veshjeve sportive “Puma”, gjatë ditës së martë e bëri të ditur lajmin se pop ylli botëror, Dua Lipa, do të punojnë me sektorin e produkteve për femra të kësaj kompanie, me qëllim që t’i inspirojnë gratë anembanë botës përmes kampanjave të ndryshme reklamuese, dhe iniciativave gjithëpërfshirëse.

Në vitin 2021, Lipa do të jetë protagoniste e kampanjës së markës “Puma” me titull “She Moves Us”, e cila ka për qëllim t’i fuqizojë dhe bashkojë gratë përmes sportit dhe kulturës, transmeton Koha.

Ylli i hitit “Levitate” i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta bërë të ditur lajmin e këtij bashkëpunimi emocionues për të, duke e ndarë një fotografi ku ajo shihet duke pozuar para pasqyrës e veshur me atlete, dhe veshje sportive të markës së suksesshme “Puma”.

Foton, Lipa e shoqëroi me mbishkrimin: “E qartë se jam shumë e lumtur t’iu lajmërojë se i kamë bashkuar familjes së kompanisë ‘Puma’, si ambasadorja e re e markës së tyre!!! Mezi pres ta shihni çfarë kemi bërë gati për të gjithë ju”.

“Puma” po ashtu do ta sponsorizoj koncertin e ardhshëm virtual të Dua Lipës, “Studio 2054”, ku ajo do të shihet duke i reklamuar disa produkte të kompanisë sportive. Madje kjo kompani po u ofron klientëve të saj lirime dhe oferta për biletat e këtij koncerti të shumëpritur, i cili do të jetë i mbushur me muzikë, performanca, aktrim, vallëzim dhe shumëçka tjetër. Në të, bukuroshja britaniko-kosovare pritet t’i ndërrojë disa kostume dhe skenat ku ajo interpreton do të ndryshojnë nga njëra-tjetra. Gjatë performancave Lipa po ashtu do të shoqërohet nga disa muzikant, valltarë, akrobat të ndryshëm dhe mysafirë special.

Dua Lipa është artistja e radhës e cila do të bashkëpunojë me markën e njohur “Puma”, pas yjeve Rihanna, Selena Gomez, Kylie Jenner, The Weeknd, Big Sean dhe të tjerë.