Aktorja e ndjerë hollivudiane, Natalie Wood, në moshën e adoleshencës ishte abuzuar seksualisht prej aktorit Kirk Douglas, sipas një raporti të ri.
Motra e Woodit, Lana, i bën këto pretendime në librin e saj të kujtimeve “Motra e Vogël” që pritet të publikohet më 9 nëntor.
Sipas fragmenteve të publikuara nga libri në “Associated Press”, Douglass e sulmoi Woodin në verën e vitit 1955.
Sulmi dyshohet se ka ndodhur kur Wood po xhironte për filmin “The Searchers”.
Lana Wood kishte thënë se takimi i këtyre dy yjeve të Hollywoodit u organizua nga nëna e saj, Matia Zakharenko, në hotelin e famshëm Chateau Marmont, e ku shpresonte se Douglas do t’i ndihmonte në hapjen e dyerve për aktoren e re.
Douglas, që ishte në të 30-at atëherë, ishte një nga aktorët e profilit të lartë në Hollywood, duke luajtur në filmat, si “Spartacus”, “The Bad and the Beautiful and Gunfight at the O.K. Corral”.
“Më duket sikur ka kaluar shumë kohë para se Natalie të kthehej në veturë e të më zgjonte nga përplasja që ia dha derës”, kishte shkruar Lana Wood.
“Dukej shumë keq. Ishte tejet e çorientuar dhe e mërzitur kur nëna dhe ajo filluan t’i pëshpëritnin shpejt njëra-tjetrës. Nuk mund t’i dëgjoja mirë e të kuptoja se për çfarë po flisnin. Diçka e keqe i kishte ndodhur motrës sime, mirëpo, çfarëdo që ishte me sa duket isha shumë e re për të ma thënë edhe mua”.
Lana Wood, e cila kishte 8 vjet në atë kohë, thotë se nëna dhe motra e saj u pajtuan me idenë që të shkatërrohej karriera e Natalies nëse akuzat për sulm kundër Douglasit do të bëheshin publike.
Kishte shkruar edhe se si motra e saj nuk i kishte treguar se çka ka ndodhur deri shumë vite më vonë kur Natalie kishte thënë së e dërguan në suitën e Douglasit. “Ai më lëndoi mua”, kishte treguar ajo.
Douglas vdiq në shkurt të vitit 2020, në moshën 103-vjeçare. Thashethemet për sulmin e supozuar ishin përhapur aq shumë saqë pas vdekjes, emri i Woodit përmendej krahas emrit të tij në “Twitter”.
Djali i tij, aktori Michael Douglas, në një deklaratë të lëshuar përmes publicistit të vet, tha për “The Accociated Press”: “ U prehshin të dy në paqe”.
Wood vdiq në rrethana misterioze në nëntor të vitit 1981 pasi u mbyt gjatë një udhëtimi me barkë, gjatë fundjavës në Santa Catalina Island në Kaliforni.
I gjykuar si aksident fillimisht, shkaku i vdekjes së saj ndryshoi gjatë vitit
2012 në “mbytje dhe faktorë të tjerë të papërcaktuar”.
Bashkëshorti i Woodit atëherë, Robert Wagner, i cili në vitin 2008 u emërua si person me interes për policinë dhe Lana Wood është njëra nga ata që mendon se ky ishte përgjegjës për vdekjen e Natalies.