Biletat për të parë Taylor Swiftin live në koncert u shitën aq shpejt saqë publiku i gjerë as që pati një shans për t’i blerë.
"Ticketmaster", kompania që shet vendet në turneun e këngëtares në SHBA, anuloi shitjet publike të enjten, duke përmendur "kërkesat jashtëzakonisht të larta për sistemet e biletave dhe sasinë e pamjaftueshme të biletave", raportoi BBC-ja
Kompania tashmë ka shitur më shumë se 2 milionë bileta në para-shitje për grupe të zgjedhura. Ajo është kritikuar pasi kërkesa rrëzoi faqen e saj të internetit.
"Provova tre ose katër herë dhe faqja e internetit u prish. Ishte në agoni," tha mamaja Nancy Abulmagd, një nga fansat që kishte fituar lotarinë për të marrë pjesë në kuadër të një para-shitjeje.
Ajo kaloi orë të tëra të martën në një radhë virtuale, pas mijëra njerëzve të tjerë, duke u përpjekur të fitonte vende për vajzën e saj 11-vjeçare dhe miqtë, por uebsajti ra vazhdimisht, dhe përfundimisht ajo mbeti duarbosh.
Firma ka fajësuar problemet për një "numër marramendës sulmesh me bot" që pushtuan faqen e saj të internetit si dhe "kërkesën e paprecedentë" për këngëtaren, e cila shpërtheu për herë të parë në skenë në 2006, dhe ka siguruar një rrjedhë të qëndrueshme hitesh që atëherë.
Edhe
Swift e zhgënjyer pas kaosit me biletat për koncertin e saj
Albumi i saj i fundit, “Midnights”, ka kryesuar listat në mbarë botën.
Kompania tha se më shumë se 3.5 milionë Swifties, siç njihen ndjekësit e saj, u regjistruan paraprakisht si "tifozë të verifikuar" me shpresën për të marrë biletat për turneun e saj në 52 qytete në SHBA në para-shitje.