Është i veçantë në mënyrën se si paraqitet në publik dhe kështu zgjodhi të jetë edhe në muzikë. Është ky Ibrahim Deliu, apo Ibro, siç ka zgjedhur të jetë emri i tij artistik. Ai para pak ditësh solli këngën dhe videoklipin e parë, e cila u bë pjesë e toplistës kineze në televizionin “TV66”.
Si erdhi deri te kjo dhe për çfarë tjetër kanë shkruar revistat italiane dhe amerikane për këngëtarin kosovar, mund ta ndiqni në storien e përgatitur nga Express i KTV-së.
Marrë parasysh konkurrencën e madhe në skenën muzikore, idetë duhet t’i ketë të qarta secili që ia mësyn të bëhet pjesë e saj.
Me një strategji të menduar mirë dhe një kohë të gjatë duket ta ketë nisur këngëtari Ibrahim Deliu, emri artistik i të cilit është Ibro.
Ka më shumë se një vit që merret me muzikë, por vetëm para disa ditëve, publikoi projektin e tij të parë, të cilin e solli edhe me videoklip.
“S’ka me u nal” mban titullin kënga, tekstin e së cilës e ka shkruar vet këngëtari.
Ndryshe nga shumica e këngëtarëve që tentojnë të bëhen pjesë e skenës muzikore, veproi me këngën e parë Ibro. Ai solli një stil ndryshe dhe një traditë tjetër nga e jona po ashtu.
Pa plazh, femra joshëse e vetura luksoze, vjen klipi i tij i parë.
Dhe pikërisht kjo është çfarë bëri që mediat ndërkombëtare të shkruajnë për të. Për më tepër, kënga “Mos e nal” është tashmë pjesë e toplistës kineze në televizionin “TV 66”.
Mediat ndërkombëtare Deliun e kishin veçuar edhe për stilin që e karakterizon. Ishte fillimisht revista italiane ‘Style laked’ që fillimisht e bëri atë pjesë të shkrimit për personazhet me syzet më IN të momentit. Ky shkrim i la radhë revistës ‘The ViaMagazine’ në Amerikë, e cila ia dedikoi një artikull këngëtarit shqiptar.
Kontaktet e krijuara deri tani, këngëtari shpreson se do t’i ndihmojnë edhe sa i përket muzikës për të depërtuar në tregun ndërkombëtar.
Ndërsa sa i përket muzikës, Ibro aktualisht është vet dhe pa ndonjë bashkëpunëtor, edhepse shtoi se është i hapur për të gjitha ofertat që do t’i vijnë, për t’u bërë pjesë e ndonjë labeli.
Këngëtari është duke punuar shumë në krijimin e këngëve të reja, të cilat u shpreh se do të vijnë së shpejti.