Showbiz

Kanye West synon sërish Shtëpinë e Bardhë – më 2024

Reperi, producenti dhe disenjatori i veshjeve, Kanye West, ka qenë kandidat për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vetëm 12 shtete dhe ka fituar më pak se 60.000 vota.

Megjithëkëtë, ai ka bërë të ditur se do të kandidojë përsëri për president në vitin 2024, pasi ka humbur garën e këtij viti.

Shoqëruar me një fotografi të tijën, ku në prapavijë shihet harta elektorale e mbushur me fitoret e demokratëve dhe të republikanëve, ai në Twitter ka shkruar: “Welp” – shprehje kjo e zhgënjimit. Por më pas ka shtuar: “Kanye 2024”.

West ka qenë kandidati i momentit të fundit i garës presidenciale të 2020-s, duke e shpallur kandidaturën e tij në korrik. Fillimisht ishte përqendruar te abortimi dhe besimi, pastaj kishte publikuar një platformë me 10 pika, duke kërkuar mbështetje për mjedisin dhe artet, duke i përqendruar politikat e jashtme në kundërshtim të ndërhyrjeve dhe duke bërë thirrje për reforma në sistemin ligjor.

Ai ka pasur vështirësi që të bëhet pjesë e disa zgjedhjeve në shumë shtete.

Në 12 shtetet, ku ishte pjesë e zgjedhjeve, ai ka fituar më pak se 60.000 vota. Suksesin më të madh ai e ka shënuar në Tennessee, ku fitoi më shumë se 10.000 vota, shifër kjo që përkon me 0.3 përqindëshin e votuesve të shtetit.

Teksa po votonte vetë, West kishte thënë se kurrë më parë nuk kishte votuar në zgjedhjet presidenciale.

“Zoti është shumë i mirë. Sot jam duke votuar për herë të parë në jetën time për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për dikë të cilit i besoj plotësisht… vetes”, ka shkruar ai në Twitter.