Justin Timberlake ka treguar se ka qenë duke luftuar me probleme shëndetësore gjatë gjithë turneut të tij dyvjeçar, të cilin e përfundoi më 31 korrik në Stamboll, ka raportuar The New York Times.
Përmes një postimi në Instagram, këngëtari 44-vjeçar ka thënë se është diagnostikuar me sëmundjen Lyme, një infeksion bakterial që transmetohet zakonisht përmes pickimit të rriqrave.
“Kur mora diagnozën, u trondita përnjëmend. Por, të paktën kuptova pse kur isha ne skenë isha me dhimbje të forta ose me lodhje të jashtëzakonshme e simptoma të tjera”, ka shkruar ai.
Turneu i tij “Forget Tomorrow World Tour”, që promovonte albumin e gjashtë solo “Everything I Thought It Was”, filloi në muajin prill 2024 në Vancouver të Kanadasë dhe përfshiu mbi 70 koncerte në Amerikën Veriore dhe Evropë. Në vitin 2025, ai vazhdoi me një pjesë të dytë të turneut “JT LIVE 25”, duke përfshirë festivale si Lollapalooza në Brazil.
Timberlake ka thënë se simptomat e sëmundjes e bënë të mendohej nëse duhej të ndalte së performuari.
“U përballa me një vendim personal. Të ndaloj turneun? Vendosa që gëzimi që më jep performanca ia vlen më shumë sesa stresi i përkohshëm që ndiente trupi im”, ka shkruar ai.
Sëmundja Lyme zakonisht zhvillohet pas një pickimi nga rriqra të infektuar. Brenda muajit të parë mund të shfaqet një skuqje në formë rrethi, si dhe simptoma të ngjashme me gripin si ethe, lodhje dhe dhimbje trupi. Shumica e njerëzve që trajtohen me antibiotikë në fazat e hershme shërohen brenda pak javësh. Por disa, edhe pas trajtimit, vazhdojnë të kenë lodhje kronike, dhimbje trupi dhe vështirësi në përqendrim.
Doktori Christopher Bazzoli nga Cleveland Clinic ka thënë se simptomat shpesh janë të paqarta dhe mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera.
“Kur njerëzit vuajnë nga Lyme për një kohë të gjatë, atëherë fillojmë të shohim simptoma të paqarta që janë shumë të vështira për t’u kuptuar dhe trajtuar”, ka thënë ai.
Në raste më të rënda, Lyme mund të shkaktojë dhimbje të forta koke, ngurtësim të qafës, artrit, shqetësime me zemrën dhe dhimbje nervore. Në raste të rralla, mund të çojë edhe në meningjit.
Timberlake, i cili e përshkruan veten si “një person mjaft privat”, tha se po e ndan këtë informacion për të shmangur keqkuptimet rreth gjendjes së tij.
“Po përpiqem të jem më transparent rreth vështirësive që kam kaluar, që të mos keqinterpretohen”, ka thënë ai.
Turneu, i pari që prej vitit 2019, nuk kaloi pa probleme. Vitin e kaluar, pak para një koncerti në Madison Square Garden, Timberlake u arrestua në Sag Harbor, New York, për ngasje të veturës nën ndikimin e alkoolit. Ai më pas e pranoi fajësinë.
Pati edhe disa shtyrje apo anulime koncertesh: një datë në New Jersey u shty për shkak të një lëndimi, një tjetër në Oklahoma u anulua pasi lëndoi shpinën, dhe koncerti në Columbus, Ohio, u anulua më pak se një orë para fillimit për shkak të sëmundjes.