Në Sony nuk kanë shpresuar aspak për një sukses të tillë. “Jumanji” i ri me titullin “Jumanji: The Next Level” të enjten e kaluar mbërriti në kinema në mbarë botën, ndërsa në studion Sony për atë film i kishin ulur plotësisht pritjet dhe nuk shpresonin për ndonjë sukses të madh.
Por jo vetëm që filmi e pati një hapje të shkëlqyeshme, ai gjithashtu e pati hapjen më të mirë në dhjetor për studion Sony dhe hapjen e 13-të më të mirë në dhjetor (për sa i përket tregut amerikan).
“Jumanji: The Next Level” i ka fituar madje 60 milionë dollarë në Amerikën e Veriut, dhe gjithashtu ka arritur sukses fantastik në pjesën tjetër të botës me 152.5 milionë dollarë (gjithsej 212 milionë dollarë). Dy vjet më parë, “Jumanji” i mëparshëm i fitoi 52.7 milionë dollarë në Amerikën e Veriut në pesë ditët e para, ndërsa në fund në atë treg i fitoi 404 milionë dollarë dhe rreth 557 milionë dollarë në pjesën tjetër të botës.
Dwayne Johnson, Jack Black, Kevin Hart dhe Karen Gillan janë rikthyer në lojë e cila këtë herë ka rregulla krejt të ndryshme, shkruan KOHA Ditore. Ekipi hyn sërish në lojë për ta shpëtuar mikun, por asgjë nuk është siç pritej, kështu që ata duhet të kalojnë përsëri përmes së panjohurës për ta fituar lojën më të rrezikshme në botë. Regjinë e filmit e bën sërish Jake Kasdan, ndërsa në rolet e tjera shfaqen disa emra të njohur si Danny DeVito, Nick Jonas, Colin Hanks, Awkwafina etj.
Kritika dhe audienca i kanë dhënë vlerësime të shkëlqyera, ndërsa tani çështja është se çfarë suksesi do të arrijë ai në javët e ardhshme, sepse qysh të enjten në kinema mbërrin “Star Wars: The Rise of Skywalker”.