Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jill Soloway punon në filmin "Red Sonja"

Për një kohë u duk se Bryan Singer do ta bëjë regjinë e filmit të ri për Red Sonja, por për shkak të akuzave të shpeshta kundër regjisorit - nga akuzat për sjellje të papërshtatshme e deri tek mungesa e fundit nga seti dhe përjashtimi përfundimtar nga xhirimet e filmit “Bohemian Rhapsody” - Millennium Films ka vendosur të shkojë në një drejtim tjetër.

Regjinë dhe skenarin e filmit të ri “Red Sonja” do të duhet ta bëjë Jill Soloway, krijuesja e serisë “Transparent”.

Karakteri i Red Sonja lidhet me tregimet për Conanin nga Robert E. Howard, por ky karakter në fakt ka më shumë të bëjë me stripat për Conanin për Marvelin, të cilat i kishte punuar Roy Thomas. Red Sonja e Howard nuk jeton në të njëjtën kohë me Conanin dhe nuk vesh rroba banje të holla me zinxhir. Thomas e shndërroi karakterin e tij në një luftëtare amazoniane, të cilën e njohim sot, shkruan KOHA Ditore.

Image

Brigitte Nielsen e pati ekranizuar Red Sonjën në ekranin e madh në vitin 1985, me Arnold Schwarzeneggerin në rolin e luftëtarit Kalidor/Conan. Ka kohë që po planifikohet të krijohet një film i ri i bazuar në këtë karakter, ndërsa iniciativa e fundit erdhi pas suksesit të “Wonder Woman”.

Ende nuk dihet se si do t’i qaset Soloway ekranizimit të këtij karakteri, por gjithsesi po presim diçka të re. "Mezi po pres ta sjell botën epike të Red Sonja në jetë", ka thënë regjisorja, duke shtuar: "Hulumtimi i kësaj mitologjie të fuqishme dhe faktit se çfarë do të thotë të jesh heroinë, është realizim i një ëndrre artistike"