Showbiz

Jennifer Lopez publikon këngë të re për filmin “Kiss of the Spider Woman”

Jennifer Lopez

Jennifer Lopez

Foto: Associated Press

Këngëtarja Jennifer Lopez ka realizuar një këngë të re për adaptimin kinematografik të shfaqjes teatrale, mjuzikëllin “Kiss of the Spider Woman”, me regji të Bill Condon, që do të shfaqet në kinema në muajin tetor.

Kënga "Never You":

Kënga, e publikuar nga Lakeshore Records, doli më 18 shtator dhe do të jetë pjesë e albumit të plotë të filmit që publikohet më 3 tetor.

Në njoftimin për media, Lakeshore Records e përshkroi këngën me titull “Never You” si “këngë jashtëzakonisht emocionale” që ka rol qendror në një moment të rëndësishëm të filmit, ka raportuar FemaleFirst.

Kënga është shkruar fillimisht nga John Kander në vitin 1990 dhe ishte interpretuar vetëm gjatë provave të hershme në Universitetin Shtetëror të New Yorkut. Kjo është hera e parë që përfshihet në një produksion të madh.

“Kam pritur gjithë jetën për këtë moment. Kur flitet për rëndësinë e mjuzikëllit… arsyeja pse doja të futesha në këtë botë ishte sepse nëna ime më ulte përpara televizorit. Çdo vit shfaqej ‘West Side Story’ në Ditën e Falënderimeve. Më kujtohet që isha e magjepsur. Mendova: ‘Kjo është ajo që dua të bëj.’ Ky ishte gjithmonë qëllimi im. Dhe kjo është hera e parë që e realizoj vërtet. Ky publik ma bëri ëndrrën realitet!”, pati thënë Lopez, pas shfaqjes së filmit në festivalin Sundance në muajin janar.

Traileri i filmit “Kiss of the Spider Woman”:

Filmi tregon historinë e Valentín, një i burgosur politik që interpretohet nga Diego Luna, i cili ndan qelinë me Molinan, rolin e të cilit e luan Tonatiuh, një i burgosur për sjellje të pahijshme. Molina i ikën realitetit të vështirë duke treguar historinë e një filmi mjuzikëll të Hollywoodit ku luan idhulli i tij, Ingrid Luna, e interpretuar nga Jennifer Lopez.

Lopez gjithashtu luan rolin e Aurorës, një figurë misterioze që shfaqet si sirenë dhe përshkon gjithë rrëfimin.

Produksioni bashkon muzikën e John Kander dhe tekstet e Fred Ebb, duke ndërthurur shkëlqimin e Hollywoodit të vjetër me realitetin e ashpër të burgut.

Filmi bazohet në shfaqjen teatrale të vitit 1993 me tekst nga Terrence McNally, e cila ishte adaptim nga romani i vitit 1976 i Manuel Puig. Shfaqja teatrore u dha deri në vitin 1995 dhe fitoi shtatë çmime “Tony”, përfshirë “Mjuzikëlli më i mirë”, si dhe çmime për aktorët Chita Rivera, Brent Carver dhe Anthony Crivello.