Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jennifer Lopez: “Kam ikur nga shtëpia”

Aktorja, këngëtarja dhe biznesmenia latino-amerikane Jennifer Lopez, ose, siç i pëlqen ta thërrasin fansat J.Lo, në kanalin e saj në You Tube e publikoi një video në të cilën e jep një intervistë të pazakontë. “Gazetarët” janë fëmijët e saj, binjakët Maximilian David dhe Emma Maribel.

Në video-emisionin në YouTube, të titullyuar "Twin-Talk: Ask me Anything with Emme and Max", binjakët 11-vjeçarë i bëjnë pyetje nënës së famshme. Së pari, Max guxoi ta pyeste se çfarë e mundonte më shumë kur ajo ishte në moshën e tyre. Ajo u përgjigj se vazhdimisht futej në telashe dhe se ishte paksa tip mashkulli. "Hyja në probleme, sepse dilja fshehurazi nga shtëpia. Dhoma ime ishte në katin e dytë, ndërsa ishte edhe një çati e vogël nën të cilën ishte depoja, kështu që do t’i vendosja shkallët në të dhe kështu do të ngjitesha, do të zbritja dhe do të kërceja nga depoja", tregoi ndër të tjera Jennifer.

Aktorja 49-vjeçare aktualisht është jashtëzakonisht e zënë me xhirimin e filmit “Hustlers”, në të cilin luan së bashku me koleget Constance Wu dhe Lili Reinhart, kështu që me këtë intervistë simpatike deshi të relaksohej dhe të argëtohej dhe njëkohësisht t’ua mësonte pasardhësve biznesin e mediave.

T’ju rikujtojmë, gjatë dy vjetëve të fundit ajo është në lidhje me ish-lojtarin e bejsbollit, 43-vjeçarin Alex Rodriguez. Këngëtarja dhe ish-sportisti në mars të këtij viti u fejuan, dhe me këtë rast Alex ia dhuroi Jennifer një unazë diamanti 10-karatësh, shkruan KOHA Ditore.

Jennifer i lindi binjakët 11-vjeçarë në martesë me këngëtarin latino-amerikan Marc Anthony, para se të ndaheshin në vitin 2011, pastaj u shkurorëzuan edhe zyrtarisht tre vjet më vonë.