Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jagger i nënshtrohet operacionit të zemrës, anulohet turneu i Stones

mick jagger

Duke iu referuar burimeve të paemëruara, portali amerikan Drudge Report thotë se Mick Jaggerit (75) në New York do t’i zëvendësohet valvuli i zemrës. Një tjetër portal, Page Six, thotë se atij do t’i vendoset stenta në zemër.

Agjentët e tij në SHBA nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment, ndërsa zëdhënësi në Britani të Madhe nuk pranoi të fliste për shkrimet në media. Rock bendi britanik njoftoi të shtunën se po e shtynte turneun e ardhshëm të Amerikës Veriore për shkak të shërimit të Jagger.

“E urrej faktin që po ju lë në këtë mënyrë dhe jam shumë i zhgënjyer që duhet ta shtyjmë turneun, por mezi po pres që të kthehem në skenë sa më shpejt që mundem”, – u ka thënë këngëtari 75-vjeçar fansave të tij të shtunën përmes rrjeteve sociale, shkruan KOHA Ditore.

Zëdhënësi i Rolling Stones legjendar në Twitter i ka informuar fansat se pas shërimit "e pret kthimin e plotë të Jaggerit", por nuk e ka sqaruar gjendjen e tij shëndetësore.

“Mjekët e këshilluan Mick Jagerin që ta shtynte këtë turne për shkak të shërimit”, - tha ai.

Pjesa amerikano-veriore e turneut të tyre 'No Filter' duhej të fillonte më 20 prill në Miami dhe duhej të zgjaste deri më 29 qershor.