Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ish-bashkëshortja e Jeff Bezos i dhuron 18 miliardë dollarë për qëllime bamirësie

MacKenzie Bezos, ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, premtoi se do ta japë të paktën gjysmën e pasurisë së saj për bamirësi dhe atë vetëm disa muaj pas përfundimit të procedurave të shkurorëzimit mes saj dhe njeriut më të pasur në botë.

Kjo miliardere e ka bërë një apel publik me të cilin i inkurajon njerëzit më të pasur në botë që pjesën më të madhe të pasurisë së tyre ta zotojnë për qëllime bamirëse.

Një nismë të ngjashme e kishin iniciuar edhe Warren Buffett dhe Bill dhe Melinda Gates në vitin 2010, ndërsa deri më tani i kanë mbështetur 204 individë dhe familje.

MacKenzie Bezos është bërë një ndër femrat më të pasura në botë, pas shkurorëzimit me themeluesin e Amazon, Jeff Bezos në fillim të këtij viti. Duhet të theksohet se ajo është në pozitën e 22 kur bëhet fjalë për miliarderët sipas Bloomberg Billionaires Index.

Pasuria aktuale e MacKenzie Bezos është rreth 36.6 miliardë dollarë. Ish-bashkëshorti i saj e ka vendin e parë në listë me një pasuri prej rreth 114 miliardë dollarësh, shkruan KOHA Ditore.

MacKenzie Bezos në një letër e paralajmëroi veprimin e saj duke theksuar se "ka më shumë para se që i nevojiten", raporton CNN-ja.