HBO e ka miratuar edhe një pjesë të serisë “Game of Thrones”, duke sqaruar se episodet e reja do të vendosen 300 vjet para ngjarjeve të cilat u zhvilluan në tetë sezonet e serisë, që përfundoi këtë vit.
“Game of Thrones” është seria më e popullarizuar e HBO-së, i ka fituar disa çmime “Emmy” dhe ka tërhequr miliona shikues nga e gjithë bota.
"Me kënaqësi ju njoftoj që e kemi porositur 'House of the Dragon' direkt për HBO," tha presidenti i programit në HBO, Casey Bloys, në ngjarjen e HBO Max, që u mbajt në Los Angeles, shkruan KOHA Ditore. Ai shtoi se seria do të bëjë fjalë për shtëpinë Targaryen dhe ditët e para të Westerosit.
Në këtë vazhdim do të punojnë George R.R. Martin, Ryan Condal dhe Miguel Sapochnik. Lajmi vjen një ditë pasi HBO-ja anuloi një tjetër pararendës të “Game of Thrones”, ku duhej të luante Naomi Watts.