Publiku ka vendosur dhe Halle Berry më në fund do ta vulos statusin e merituar të ikonës, kjo pasi aktorja do të nderohet me çmimin “Ikona e njerëzve” në edicionin e sivjetmë të ceremonisë shpërblyese, “People’s Choice Awards”.
Ngjarja glamuroze e përvitshme mbahet më 7 dhjetor në Santa Monica, dhe aty aktorja, producentja dhe regjisorja e famshme do të nderohet me shpërblimin legjendar.
Cardi B do t’ia ndajë çmimin yllit 55-vjeçar të kinematografisë, i cili e nderon kontributin e saj në televizion dhe film, përfshirë këtu projektin e saj të fundit “Bruised” me të cilin debutoi si regjisore dhe kolona zanore e së cilit është krijuar nga Berry dhe Cardy B.
Për publikun e gjerë, karriera e Halle Berryt gjithmonë ka qenë ikonike. Ajo e fitoi një shpërblim “Oscar” në vitin 2002 duke u bërë gruaja e parë afrikano-amerikane e nderuan në kategorinë “Aktorja më e mirë”, për performancën e mrekullueshme në filmin “Monster’s Ball”. Gjatë karrierës së saj, Berry po ashtu është nderuar me një shpërblim “Emmy”, “Globi i Artë”, “SAG Award” dhe “NAACP Image Award”.
Krahas kontributeve të mëdha në televizion dhe film, ajo gjithashtu është konsideruar një ikonë e stilit për dekada të tëra, dhe shquhet për guximin për të eksperimentuar dhe thyer barriera kur vjen puna tek zgjedhjet e saj të veshjeve dhe modeleve të flokëve.
Një tjetër yll i hollywoodit që do të nderohet me çmim special gjatë ceremonisë së ardhshme “People’s Choice Awards” është, Dwayne ‘The Rock’ Johnson, i cili do ta pranojë çmimin “Kampioni i njerëzve”.
Edhe
Berry: Jam lodhur duke qenë e vetmja afroamerikane me “Oscar” për aktoren më të mirë
Aktori i filmit “Red Notice” do të pranojë këtë mirënjohje për kontributin e tij në industrinë e showbizit dhe përpjekjet sipërmarrëse, si dhe angazhimin e aktorit për të mbështetur fëmijët dhe familjet në nevojë nëpërmjet iniciativave të ndryshme bamirëse.
“Dwayne është një nga aktorët më të dashur të kohës sonë i cili ka arritur sukses të paparë përgjatë karrierës së tij. Gjatë një periudhe ku ka pasur shumë pasiguri, Johnson ka shfaqur aftësi të pamend për t’i disponuar njerëzit dhe për t’i bërë të buzëqeshin pavarësisht nga rrethanat. Përpjekjet e tij filantropike dhe prania e madhe në rrjetet sociale e ka bërë atë një udhëheqës kulturor dhe frymëzim për shumë njerëz, duke e bërë personin e përsosur për ta pranuar çmimin “Kampion i njerëzve” për vitin 2021”, shkruhej në një prononcim për media të lëshuar nga organizatorët e ceremonisë.
Ceremonia “People’s Choice Awards” do të mbahet në Santa Monica të Kalifornisë dhe do të prezantohet nga ylli i shout “Saturday Night Live”, Kenan Thompson.