Një gjykatë në Los Angeles ka miratuar një urdhër mbrojtjeje për aktoren dhe këngëtaren Halle Bailey, e njohur për rolin e saj në filmin “The Little Mermaid”, ndaj ish-të dashurit të saj, reperit dhe YouTuberit DDG (emri i vërtetë: Darryl Dwayne Granberry Jr.), ka raportuar agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Bailey ka deklaruar se Granberry ka qenë vazhdimisht i dhunshëm dhe ajo ndien frikë për veten dhe për djalin e tyre 17-muajsh, Halo.
“Gjatë gjithë marrëdhënies sonë, Darryl ka qenë dhe vazhdon të jetë fizikisht, verbalisht, emocionalisht dhe financiarisht abuziv ndaj meje. Jam duke kërkuar urdhra për të mbrojtur veten dhe djalin tonë, Halo, nga abuzimi i tij i vazhdueshëm”, shkruan në dokumentet që 25-vjeçarja i ka dorëzuar në gjykatë.
Aktorja përshkroi në detaje një incident që ka ndodhur në muajin janar, kur po vendoste foshnjën në ndenjësen e makinës së Granberryt.
“Darryl më ofendoi vazhdimisht. Pastaj kaloi në dhunë fizike. Filloi një përleshje mes nesh. Ai më tërhoqi nga flokët dhe më përplasi fytyrën në timon, çka më theu një dhëmb. Në atë moment ndalova së mbrojturi, sepse po ndjeja shumë dhimbje”, ka thënë ajo.
Bailey përfshiu në dosje fotografi të dëmtimit të dhëmbit dhe shenjave në krahët e saj.
Në muajin mars, Bailey ka thënë se Granberry kishte hyrë fshehurazi në shtëpinë e saj, kur ajo s’ndodhej aty. Më pas, i dërgoi një fotografi të shtratit të saj, bashkë me një mesazh kërcënues që aludonte se ajo kishte marrëdhënie me meshkuj të tjerë.
Pak ditë më vonë, ndodhi një tjetër përplasje.
“Ai u tërbua kur nuk pranova ta dërgoja foshnjën tonë të sëmurë për vizitë tek ai. Kur pa që po incizohej nga kamera, e shkatërroi atë. Më pas, kur thirra një të afërm për ndihmë, ai më mori telefonin dhe ma përplasi derën e makinës kur po mbaja fëmijën në krah”, ka thënë Bailey.
Ajo ka bërë kallëzim në polici për këtë incident.
Bailey gjithashtu kërkoi që Granberryt t’i ndalohet t’i përdorë platformat e tij të transmetimit (Twitch dhe YouTube) për ta sulmuar dhe për të nxitur ndjekësit e tij kundër saj.
“Sa herë që dëshiron të më lëndojë emocionalisht, fillon të më përgojojë përpara miliona ndjekësve të tij. Më akuzon se po i fsheh djalin, apo se jam me meshkuj të tjerë. Si pasojë, më vijnë mesazhe kërcënuese dhe urrejtje në rrjetet sociale”, ka treguar aktorja.
Gjykatësi vendosi që Granberry të mos i afrohet Baileyt dhe djalit të tyre deri në një seancë dëgjimore më 6 qershor 2025. Gjithashtu, atij iu ndalua posedimi i armëve, dhe nëse gjykata e sheh të arsyeshme, urdhri mund të zgjatet deri në pesë vjet.