Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Grupi “Måneskin” dëshiron të bashkëpunojë me “BLACKPINK”

Anëtarët e grupit “Måneskin”, e zbuluan se do të dëshironin të bashkëpunonin me vajzat e grupit të muzikës K-Pop, “BLACKPINK”.

Rokerët italian, njëherësh fitues të garës evropiane të muzikës “Eurovizion”, e bënë këtë deklaratë gjatë një interviste të realizuar mbi qilimin e kuq të ceremonisë “MTV VMA”. Kur u pyetën nga gazetarja se cilin person do ta zgjedhnin për t’iu bashkuar bendit, vokalisti Damiano David i përmendi të gjitha vajzat e “BLACKPINK”. Përzgjedhja e tij u mirëprit nga pjesëtarët e bendit, megjithëse Victoria De Angelis e shprehi dëshirën e saj për të bashkëpunuar edhe me reperen Nicki Minaj.

“Måneskin” dhe “BLACKPINK” e shënuan debutimin në skenën e ceremonisë MTV Video Music Award”, e cila u mbajt më 28 gusht në qendrën “Prudential” në New Jersey.

Rokerët italian, të cilët gjatë mbrëmjes e fituan çmimin “Alternative Video Award” për hitin “I Wanna Be Your Slave”, po ashtu e sollën një interpretim energjik të këngës “Supermodel”. Transmetimi i kësaj performance nga “MTV” u kritikua për censurë, por organizatorët bënë të ditur se kjo kishte ndodhur ngaqë basistes së grupit, Victoria De Angelis, iu ekspozua gjiri në skenë.

Në anën tjetër, “BLACKPINK” u nderua me çmimin “Best Metaverse Performance”, për koncertin e tyre special “BLACKPINK The Virtual”. Edhe anëtarja e grupit, Lisa, përfundoi duke e rrëmbyer shpërblimin “Videoklipi më i mirë i muzikës K-Pop” për projektin e saj si solo-artiste “Lalisa”.

Grupi i përbërë nga katër anëtare, Jisoo, Jennie, Rosé dhe Lisa, gjithashtu e shënoi performancën e parë në këtë ceremoni, me interpretimin e këngës së sapolansuar “Pink Venom”.

Ndërkaq, më 16 shtator të këtij viti, vajzat e publikojnë albumin e tyre të ri me titull, “BORN PINK”.

Artikuj të ngjashëm