Showbiz

Gruaja e Bruce Willis reagon ndaj kritikave që çifti po jeton ndaras

Bruce Willis dhe Emma Heming Willis

Bruce Willis dhe Emma Heming Willis

Foto: Associated Press

Emma Heming-Willis, bashkëshortja e aktorit Bruce Willis, ka reaguar pas kritikave për mënyrën se si familja po kujdeset për aktorin që vuan nga demenca frontotemporale (FTD).

Në një intervistë me Diane Sawyer për dokumentarin “Emma and Bruce Willis: The Unexpected Journey”, që u transmetua këtë javë në ABC News, ajo ka zbuluar se Bruce po jeton në një “shtëpi të dytë” së bashku me ekipin e tij mjekësor që kujdeset për të 24 orë në ditë, ka raportuat Entertainment Weekly.

Në një video në Instagram, Heming-Willis mbrojti vendimin e tyre, duke theksuar se kritikat vijnë kryesisht nga njerëz pa përvojë reale me këtë gjendje.

“Intervista pati ndikim të mrekullueshme për të rritur ndërgjegjësimin për FTD dhe për të vënë në pah kujdestarët. E dija që do të kishte reagime, sidomos pasi ndava disa informacione intime, por ka dallim mes ‘njerëzve me opinion’ dhe atyre me përvojë të vërtetë. Këta të fundit e kuptojnë shumë më mirë kujdesin”, ka thënë bashkëshortja e yllit.

 Heming-Willis, tutje ka lexuar edhe një pjesë nga libri i saj i ardhshëm “The Unexpected Journey”.

“Të gjithë do të kenë një opinion, por duhet t’i kujtoni vetes se shumica nuk kanë përvojë për ta mbështetur. Dhe nëse është kështu, ata s’duhet të japin mendimin e tyre, e ju s’duhet t’u kushtoni rëndësi”, thuhet në libër.

Ajo ka shtuar se ani nëse dikush është i njohur me demencën, ata nuk jetojnë në shtëpinë tuaj, nuk e shohin sjelljen e familjarit tuaj dhe nuk e njohin dinamikën e familjes suaj.

“E vërteta është se opinionet janë të zhurmshme, por nëse nuk kanë përvojë me këtë, ata s’kanë të drejtë të flasin, dhe sigurisht nuk kanë të drejtë të vendosin”, thuhet tutje në librin e saj.

Në përshkrimin e postimit,  Heming-Willis ka mbrojtur kujdestarët.

“Shumë shpesh, kujdestarët gjykohen shpejt dhe padrejtësisht nga ata që s’e kanë jetuar këtë rrugëtim. Të ndash hapur do të thotë të marrësh opinione, por mbi të gjitha, do të thotë të krijosh lidhje dhe mbështetje nga ata që vërtet e kuptojnë këtë përvojë”, ka shkruar ajo.

Emma dhe Bruce kanë dy vajza së bashku, Mabel, 13 vjeçe, dhe Evelyn, 11 vejçe, ndërsa aktori i filmit “The Sixth Sense” ka edhe tri vajza nga martesa e mëparshme me aktoren Demi Moore: Rumer , 37 vjeçe, Scout, 34 vjeçe dhe Tallulah, 31 vjeçe.

Ajo ka pranuar se vendimi për ta zhvendosur Brucen në shtëpinë e dytë nuk ishte aspak i lehtë.

“Ishte një nga vendimet më të vështira që kam marrë ndonjëherë. Por e dija se, para së gjithash, Bruce do të donte këtë për vajzat tona. Ai do të donte që ato të jetonin në një shtëpi të përshtatshme për nevojat e tyre, jo për të”, ka thënë Emma.

Ajo gjithashtu ka thënë se e viziton burrin e saj dy herë në ditë dhe se shtëpia ku ai qëndron është njëkatëshe, gjë që e bën më të lehtë lëvizjen e aktorit.