Showbiz

George Clooney ndihmon në themelimin e një shkolle të filmit dhe televizionit

Foto: AP/Associated Press

Ylli i kinematografisë, George Clooney, ka ndihmuar në themelimin e një shkolle të re të filmit dhe televizionit në Los Angeles.

Distrikti Shkollor i Unifikuar i Los Angeles të hënën e zbuloi shkollën e re publike, e cila u themelua falë ndihmës financiare të aktorit 60-vjeçar, si dhe yjeve tjerë të Hollywoodit, Don Cheadle, Mindy Kaling, Kerry Washington dhe Eva Longoria.

Shkolla “The Roybal School of Film and Television Production”, do të hapet në vjeshtën e vitit 2022 me një buxhet prej 7 milionë dollarë dhe një regjistrim fillestar prej 120 studentësh.

Clooney ishte personi i cili fillimisht ia kishte prezantuar idenë e krijimit të kësaj shkolle, bashkëkryetarit të Agjencisë së Artistëve Kreativë, Bryan Lourd, i cili më pas e ka dërguar planin tek zyrtarët e distriktit të cilët e aprovuan atë Brenda pak ditësh.

Në një intervistë për gazetën “New York Times”, Clooney tha: “Kemi menduar se ky proces do të zgjaste më gjatë, por fatmirësisht hasëm në përkrahje të jashtëzakonshme. Askush nuk është më i mirë për ta bindur një studio, sindikatë apo shoqërinë tonë të angazhohet në realizimin e një projekti të këtillë, më mirë se ne aktorët. Është puna që e bëjmë më së miri”, deklaroi aktori.

Shkolla do t’i ndihmojë studentët e komuniteteve më pak të privilegjuara që t’i zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të arritur sukses në industrinë e filmit dhe televizionit në Hollywood.

Në një tjetër intervistë për portalin “Deadline”, ylli i filmit “Midnight Sky” ka deklaruar: “Qëllimi ynë është ta pasqyrojmë më mirë larminë e vendit tonë. Kjo do të thotë të fillosh herët. Nënkupton krijimin e programeve të shkollës së mesme që u mësojnë të rinjve për kamerat, redaktimin, efektet vizuale, zërimin, montazhin dhe të gjitha mundësitë e karrierës që i ofron kjo industri. Do të thotë praktikë e cila ju ndihmon ta krijojë një karrierë në Hollywood e cila paguan mirë”.

Historiku i dobët i Hollywoodit për punësimin e personave të komuniteteve të ndryshme si para ashtu edhe prapa kamerave, është vënë nën vëzhgim të ngushtë vitet e fundit, duke përfshirë inicimin e fushatës #OscarsSoWhite në mediat sociale, e cila kishte për qëllim denoncimin e fenomenit të përvitshëm, ku shumica dërrmuese e të nominuarve të kësaj ceremonie i takonin racës së bardhë.