Showbiz

Filmi i animuar “The Croods 2” po i kryeson arkat filmike në Amerikë

Bazuar në të ardhurat e arkëtuara gjatë fundjavës së parë të shfaqjes nëpër kinema, duket se komedia e re e animuar “The Croods 2”, ka gjasa t’ia kalojë filmit “Tenet” me shumën e të hollave të fituara në Amerikë dhe Kanada.

Ky projekt është vazhdim i filmit të animuar të vitit 2013, “The Croods”. Ai ka hasur në vështirësi gjatë realizimit, madje në një pikë ishte anuluar nga studioja filmike “Dreamworks”. Përveç kësaj, filmi pësoi disa herë ndryshime në datën e lansimit, por përfundimisht filloi së shfaquri nëpër kinema nga 25 nëntori i vitit 2020.

Qysh në tri ditët e para të shfaqjes, “The Croods 2” arriti të shënojë suksese të jashtëzakonshme në arkat filmike të Amerikës Veriore, prandaj parashikohet se mund ta kalojë suksesin e filmit të fundit të regjisorit Christopher Nolan, “Tenet”, i cili në tri ditët e para të shfaqjes i pati arkëtuar rreth 9.3 milionë dollarë. Ndërsa filmi i animuar shumë i pëlqyer nga publiku, arriti ta kapë shifrën prej 9.7 milionë dollarëve të arkëtuara në fundjavë.

Ndërsa përgjatë gjithë javës, “The Croods 2” ka arritur të shes bileta në vlerë prej 17 milionë dollarësh. Nëse vazhdon me këtë ritëm të shitjes së biletave, ka shumë mundësi që ta kalojë filmin “Tenet” për nga arkëtimi i të hollave nga shfaqja në Amerikë.

Në pozitën e dytë të arkave filmike gjendet komedia supernatyrale, “Freaky”. Filmi me protagonist aktorin Vince Voughn, gjatë javës që e lamë pas i arkëtoi gjithsej 770 mijë dollarë, duke quar shumën totale në 7 milion dollarë të fituara.

Ky projekt kinematografik e rrëfen historinë e një studenteje të shkollës së mesme, Millie Kessler, e cila pa dashje i ndërron trupat me një vrasës serik. Kur thika magjike e vrasësit të njohur me emrin Blissfield Butcher, dhe i portretizuar në film nga aktori Vince Vaughn, bënë që Millie të hyjë në trupin e vrasësit dhe anasjelltas, ajo e kupton se e ka vetëm një ditë në dispozicion për ta prishur magjinë, para se ajo të bëhet e përhershme. Kështu, e ndjekur nga policia, Millie duhet ta gjejë vrasësin serik i cili po e shfrytëzon trupin e saj për t’i shënjestruar nxënësit në shkollë.

Në rolet kryesore të filmit vijnë aktorët: Vince Vaughn, Kathryn Neëton, Katie Finneran, Celeste O'Connor dhe Alan Ruck, ndërsa regjinë e tij e ka bërë Christopher Landon.

Në vendin e tretë është pozicionuar komedia e fundit e Robert De Niros, “The War with Grandpa”, falë 644 mijë dollarëve të fituara ekstra, të cilat i shtohen shumës totale që ky film e ka arkëtuar prej lansimit të tij nëpër kinema, dhe që e kap shifrën prej 17 milionë dollarëve.

I bazuar në librin për fëmijë me të njëjtin emër, filmi e rrëfen historinë e gjyshit Ed, të personifikuar në ekran nga De Niro, i cili shpërngulet të jetojë me familjen e së bijës dhe kështu detyrohet t’ia zërë dhomën e gjumit nipit të tij, Peter. Ky i fundit nuk pajtohet me idenë se duhet të flejë në kulm të shtëpisë për ta akomoduar gjyshin e moshuar, dhe kështu bashkë e shokët e tij thurin plane për ta zhvilluar një luftë të fshehtë me Edin, dhe përfundimisht fituesi e meriton dhomën e gjumit.

Në film po ashtu luajnë aktorët e njohur hollywoodian, Uma Thurman dhe Christopher Walken.

Ndërkaq në vendin e katërt dhe të pestë të arkave filmike të Amerikës Veriore gjenden filmat, “Let Him Go” dhe “Come Play”.

“Let Him Go” i ka bërë bashkë në ekran të madh dy aktorët veteran të Hollywoodit, Kevin Costner dhe Diane Lane. Ai e rrëfen historinë e çiftit George dhe Margaret Blackledge, i cili lufton shumë për ta shpëtuar nipin e tyre nga dhuna e njerkut dhe familjes së tij.

Filmi ka filluar së shfaquri nëpër kinematë amerikane nga 6 nëntori dhe në përgjithësi ka marrë kritika të mira nga publiku, duke i arkëtuar deri më tani afërsisht 9 milionë dollarë.

Ndërsa “Come Play” është një film i zhanrit triler dhe horror, në të cilin rolet protagoniste i luajnë aktorët Gillian Jacobs dhe John Galager Jr. Ai e rrëfen historinë e dy prindërve të një fëmije autik, të cilët mundohen ta mbrojnë djalin e tyre të vogël nga “Larry”, një përbindësh i keq i cili i sulmon fëmijët e pafajshëm.

Ky projekt është publikuar më 30 tetor të këtij viti, dhe pavarësisht se kishte marrë vlerësime të përziera nga ekspertët e filmit, deri më tani ka arritur t’i arkëtoj rreth 8.7 milionë dollarë, nga shitja e biletave nëpër kinema.