Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Fansat e Orës reagojnë ndaj videos së këngëtares me Gjokoviqin

Të shumta ishin reagimet e publikut, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, rreth videos së fundit që po qarkullon online, ku superylli i muzikës Rita Ora dhe tenisti Novak Gjokoviq, shihen duke bashkëbiseduar në finalen e Kupës së Botës në ragbi.

Ora në këtë ngjarje është shoqëruar nga bashkëshorti Taika Waititi. Por, në një moment kamerat e kanë fokusuar atë duke biseduar dhe duke qeshur me Gjokoviqin, dhe sigurisht se ky veprim nuk është pritur mirë nga fansat shqiptarë të këngëtares. Sidomos marrë parasysh qëndrimin e tenistit të njohur ndaj Kosovës. Rita Ora është ambasadore nderi e Republikës së Kosovës në Botë, ndërsa Gjokoviqi shquhet si nacionalist serb, që madje herën e fundit u doli në përkrahje pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist, që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Të befasuar me afrimitetin e kësaj dysheje ishin edhe fansat ndërkombëtarë. Në reagimet e tyre në rrjetet sociale ata u shprehën që kanë menduar se raportet mes Orës dhe Gjokoviqit nuk ishin të mira, bazuar në historinë e dy shteteve, Kosovë dhe Serbi, por edhe videon të cilën Rita e pati postuar me rastin e promovimit të lansimit të albumit të tretë muzikor. Aty, ajo shihet e indinjuar kur në një ekran prapa saj shfaqet figura e Gjokoviqit.

“Kam menduar se ajo nuk e pëlqen Gjokoviqin për shkak të asaj videoje dhe qëndrimeve të tij ndaj Kosovës”, shkroi një adhurues në Twitter.

“Kështu mund të arrihet paqja historike mes serbëve dhe shqiptarëve”, shkroi një tjetër adhurues.

“Ata po e zgjidhin krizën e veriut të Kosovës”, ishte një prej komenteve të shumta në rrjetet sociale.

Edhe Rita Ora shihet pranë Novak Gjokoviqit Showbiz Rita Ora shihet pranë Novak Gjokoviqit

Reagimet e shumta online, të cilat i patën thelluar dhe më shumë raportet problematike mes Kosovës dhe Serbisë, ishin ato kur në një koncert Ora u shfaq duke performuar në skenë me flamurin e Serbisë në duar. Më vonë familja e saj deklaroi se gjithçka ishte një gabim dhe se Rita nuk ishte në dijeni se flamuri që mbante në duar ishte i Serbisë.

Ndërkaq, edhe një herë babai i Orës, Besnik Sahatçiu, i doli në mbrojtje të bijës duke theksuar se këngëtarja nuk ishte shoqëruar nga Gjokoviqi në finalen e Kupës së Botës në ragbi. Ai i postoi disa fotografi ku Rita shihet e ulur një rend më poshtë se tenisti serb.

Megjithatë, videoja në fjalë i tregon ata dukshëm duke biseduar me njëri-tjetrin dhe është e kuptueshme që publiku kosovarë, nuk e pëlqeu këtë veprim të këngëtares me famë botërore.

Image