Showbiz

Emma Thompson përmbush ëndrrën

Aktorja e famshme britanike, Emma Thompson, ka plotësuar një ëndërr të kamotshme duke blerë një shtëpi në Venecia të Italisë.

Ylli i “Love Actually” ka zbuluar se ka pasur shumë dëshirë të jetojë në qytetin italian që kur ishte fëmijë dhe tani është një hap më afër shpërnguljes të përhershme.

“Që kur isha fëmijë kam ëndërruar të jetoj në një vend magjik si Venecia”, ka thënë ajo për “Il Gazzettino”. “Tani, e kam realizuar ëndrrën time. Jam transferuar në një shtëpi në qytet dhe kur mundem, kaloj të paktën dy ose tre muaj atje. Dhe, ndërkohë, po studioj italishten, të cilën dua ta mësoj dhe ta flas sa më mirë që të jetë e mundur”.

Thompson ka thënë se jeton ende zyrtarisht në Londër, në mënyrë që ta ndihmojë nënën në moshë të shtyrë, por shpreson të zhvendoset në Venecia për një vit të tërë.

“Jetoj ende në Londër, në të njëjtën rrugë me fëmijët dhe nënën time, e cila është 91-vjeçare dhe ka nevojë për mua, por dëshira ime më e madhe është të vendosem në Venecie për gjithë vitin. Ndërkohë, jam e lumtur që mund ta shijoj qytetin për të paktën dy muaj”, ka thënë tutje ajo.

64-vjeçarja bleu pronën tre vjet pasi u shpall qytetare nderi e Venecias, bashkë me burrin Greg Wise.

“Donin të ishin qytetarë rezidentë, që të vinin dhe të jetonin në Venecia. Blenë në qendrën historike, jo vetëm ‘shtëpi të dytë’. Ajo ishte shumë e lumtur dhe tha se e do shumë Venecian. Më thanë se po ndjekin kurset italiane. Jemi vërtet të lumtur dhe krenarë që kemi Emma Thompson dhe Greg Wise si bashkëqytetarët tanë, për atë që përfaqësojnë dhe për dashurinë që tregojnë për Venecian”, pati thënë zëvendëskryetari i bashkisë, Simone Venturini, kur pati ndarë çmimin për çiftin.

Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi