Showbiz

Emma Corrin do ta luajë Diana Spencerin në “The Crown”

Aktorja e re Emma Corrin e ka fituar rolin e lakmuar të Lady Diana Spencer në serinë dramë të Netflix, “The Crown”.

Aktorja do të debutojë si princesha e re, e cila u bë një ikonë humanitare para vdekjes së saj të papritur në vitin 1997 në sezonin e katërt të hit serialit.

"Jam më shumë se e entuziazmuar dhe e nderuar që do t’i bashkohem serialit The Crown për sezonin e katërt", tha ajo. "Kam qenë e “ngjitur” për serialin që nga episodi i parë dhe kur mendoj se tani jam duke iu bashkuar kësaj familjeje tepër të talentuar të aktorëve, kjo është thjesht joreale.

"Princesha Diana ishte një ikonë dhe efekti i saj në botë mbetet i thellë dhe frymëzues. Mundësia që ta eksplorosh atë nëpërmjet veprës së Peter Morgan është mundësia më e jashtëzakonshme dhe unë do të përpiqem ta luaj atë sa më dinjitetshëm!"

"Emma është një talent i shkëlqyeshëm që na ka impresionuar menjëherë kur erdhi për rolin e Diana Spencer", shpjegoi Morgan. "Përveçqë e ka brishtësinë dhe bukurinë e një Diane të re, ajo gjithashtu e ka, me bollëk, një gamë dhe kompleksitet për ta paraqitur një femër të jashtëzakonshme që nga një adoleshente anonime u bë gruaja më ikonike e gjeneratës së saj".

Corrin, e cila e ka një ngjashmëri të mahnitshme me Dianën, dhe e cila u paraqit në Grantchester të televizionit britanik, do ta bëjë debutimin filmik si Miss Afrika e Jugut në :Misbehaviour”. Ajo gjithashtu do të shfaqet edhe në pararendësin e Batmanit, serialin “Pennyworth”, shkruan KOHA Ditore.

Ndërkohë, sezoni i tretë i The Crown, në të cilin luan edhe fituesja e “Oscarit”, Olivia Colman, si Mbretëresha Elizabeth II, do të debutojë më vonë këtë vit. Ajo e merr rolin nga Claire Foy, e cila e luajti mbretëreshën gjatë dy sezoneve të para.