Adaptimi televiziv i “American Gods” nga autori Neil Gaiman është kthyer në ekranet e vogla këtë muaj për një sezon të dytë, edhe pse tani për tani nuk ka kritika aq pozitive dhe pas shumë lajmeve në lidhje me kaosin që u zhvillua në prapaskenë.
Nuk e dimë se cila është e vërteta në gjithë këtë, por çfarëdo që ndodhi kishte ndikim në vonimin e fillimit të xhirimeve dhe largimit të showrunnerit, ndërsa e ardhmja e projektit në një pikë ishte në pikëpyetje. Por të gjitha me sa duket kanë rënë në vendin e vet sepse rrjeti Starz njoftoi se sezonit të tretë i është dhënë drita e gjelbër dhe atë me udhëheqjen e Charles "Chic" Eglee, skenaristit dhe producentit të serive “Walking Dead” dhe “Hemlock Grove”, shkruan KOHA Ditore.
"Publiku vazhdon të gjunjëzohet para altarit të Perëndive amerikane dhe jemi të ngazëllyer t’i njoftojmë besimtarët e vërtetë se më shumë nga kjo seri mahnitëse është duke ardhur", tha shefi i programit të Starz, Carmi Zlotnik.
Neil Gaiman që nga fillimi ka qenë i përfshirë në projekt dhe tani duket i kënaqur me përzgjedhjen e re të personit që do ta udhëheqë projektin: "Jam i kënaqur që American Gods e morën miratimin për sezonin e tretë dhe jam shumë i mahnitur që do të punoj me Chic Egleejem"

Supozojmë se Ian McShane, Pablo Schreiber, Ricky Whittle, Emily Browning dhe Orlando Jones do të kthehen në sezonin e ri, edhe pse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Sezoni i dytë ka filluar me transmetimin kështu që na mbetet të shohim se në ç’drejtim do të na dërgojë konflikti në mes të perëndive të vjetra dhe të reja.