Showbiz

Dua Lipa me 3 projekte në top dhjetëshen e këngëve më të mira në Britani të Madhe

Edhe një sukses i radhës për këngëtaren, Dua Lipa.

Ylli i muzikës e cila aktualisht po e shijon suksesin e albumit të dytë të incizuar në studio me titull, “Future Nostalgia”, e ka ndarë me fansat e saj lajmin se tri këngë të këtij incizimi, “Don’t Start Now”, “Physical” dhe “Break My Heart”, kanë arritur të pozicionohen në top dhjetëshen e këngëve më të mira në Britani të Madhe, transmeton Koha.

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë ndërkombëtare, i ka falënderuar shumë adhuruesit e saj për pritjen që ia kanë bërë këtij albumi. Gjithashtu, “Future Nostalgia” ka marrë kritika tejet pozitive edhe nga ekspertët e muzikës, të cilët po e konsiderojnë atë një prej albumeve më të mira të vitit 2020.

“Don’t Start Now”, “Physical” dhe “Break My Heart”, janë të publikuara me videoklipe edhe në YouTube, ku “Don’t Start Now” kryeson me 213 milionë klikime, “Physical” i numëron gjithsej 77 milionë klikime të fituara brenda dy muajve dhe “Break My Heart” për vetëm dy javë të lansimit ka arritur t’i marrë më shumë se 29 milionë klikime.

Në anën tjetër, kënga më e pëlqyer e Lipës në këtë platformë muzikore vazhdon të jetë, “New Rules”, me më shumë se 2 miliardë klikime.