Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dua Lipa bëhet pjesë e një dokumentari të Disneyt

Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, do të jetë një nga yjet që do të shfaqet në “Camden”, seria e ardhshme dokumentare që po drejtohet nga filmbërësi fitues i çmimit Asif Kapadia.

Seria e cila përqendrohet në ndikimin e lagjes Camden të Londrës - do të vërë gjithashtu në qendër të vëmendjes artistë si Chris Martin të Coldplay, Mark Ronson, Boy George dhe Black Eyed Peas.

Episodet individuale do të drejtohen nga Toby Trackman, Yemi Bamiro dhe bashkë-regjisorja Sarah Lambert.

Planet për të bërë dokumentarin u bënë të ditur të mërkurën (23.08.23) në Festivalin e TV të Edinburgut, sipas The Hollywood Reporter.

Dua ka lindur dhe është rritur në Londër, por familja e saj vjen nga Kosova dhe ylli i popit më parë pohoi se kjo është një "pjesë e madhe" e identitetit të saj.

Mediat ndërkombëtare e kanë quajtur Duan bukuri brune e cila jetoi në Kosovë gjatë adoleshencës së saj ndërsa e kanë cituar atë të ketë thënë për WSJ: “ Është një pjesë kaq e madhe e asaj që jam. Duke pasur parasysh prindërit e mi dhe mënyrën se si ata erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, [situata e refugjatëve] ka qenë gjithmonë diçka që është me të vërtetë pranë zemrës sime".

Dua, 28 vjeç, gjithashtu këmbënguli se nuk do të lejojë askënd të mohojë "identitetin" e saj.

Shqiptarja e cila ka pasur sukses të madh në vitet e fundit tha: "Lexova shumë komente nga njerëz që më thoshin se nuk kam vend, nuk kam identitet, Kosova nuk ekziston. Kam jetuar në Kosovë, i njoh jetët që kanë humbur gjatë luftës. Pra, që dikush të më mohojë identitetin dhe përvojën time, është e vështirë për mua të qëndroj prapa dhe të mos flas për këtë. Pra, kjo është diçka që do ta bëj gjithmonë".

Përgatiti: Vita Abrashi -Kajtazi

Artikuj të ngjashëm