Showbiz

Parton lanson koleksion bizhuterish të frymëzuar nga kënga “I Will Always Love You”

Dolly Parton

Dolly Parton

Foto: Associated Press

Ikona e muzikës country, Dolly Parton, ka lansuar një koleksion të ri bizhuterish të frymëzuar nga kënga e saj e famshme “I Will Always Love You”, e publikuar për herë të parë në vitin 1973, e cila më vonë u bë hit ndërkombëtar falë interpretimit të këngëtares Whitney Houston në vitet ’90, ka raportuar revista People.

Ky është bashkëpunimi i dytë mes Partonit dhe disenjatores së njohur për stoli, Kendra Scott, ku pjesët e koleksionit kanë stil “vintage” dhe janë të zbukuruara me simbole si flutura dhe nota muzikore, të cilat përfaqësojnë shpirtin e Partonit.

 

“Çdo pjesë e këtij koleksioni është rikujtim për të udhëhequr me dashuri, të jesh autentik dhe të ndriçosh botën, ashtu siç ka bërë gjithmonë Dolly. E frymëzuar nga një nga këngët më ikonike të saj, në këtë koleksion do të gjeni zemra dhe flutura, të cilat përfaqësojnë gjithçka që Dolly përçon”, ka thënë Scott në një dekalratë për media.

Ajo ka theksuar se Parton është ikonë e vërtetë që ka shumë rëndësi për shumë njerëz, dhe është e lumtur që i bën homazh këngës së saj të famshme në këtë mënyrë të veçantë.

Koleksioni përbëhet nga 10 pjesë të ndryshme bizhuterish, përfshirë vathë, varëse, byzylykë dhe unaza, me çmime që variojnë nga 85 deri në 298 dollarë.


Një nga pjesët më të veçanta është një varëse me mbajtëse fotografie, e cila ka të gdhendur frazën e njohur: “I will always love you” (Do të të dua gjithmonë).

Dizajnet pasqyrojnë temat kryesore të muzikës së Partonit, si dashuria dhe sinqeriteti.

Të ardhurat nga shitjet e këtij koleksioni do të shkojnë për projekte bamirësie si  fondacioni “Yellow Library” i Kendra Scottit dhe biblioteka “Imagination” e Dolly Partonit, që ofrojnë libra falas për fëmijët.

Ky është bashkëpunimi i dytë mes Partonit dhe Kendra Scottit. Koleksioni i tyre i parë u lansua në nëntor të vitit të kaluar dhe ishte frymëzuar nga kënga e Partonit “Love is Like a Butterfly” e vitit 1974, që përkon me vitin e lindjes së disenjatores.

“Është e vështirë të shpjegoj me fjalë se çfarë do të thotë Dolly Parton për mua. Ajo është modeli im i jetës, një shembull i të qëndruarit besnike ndaj vetes, i besimit në art dhe kreativitet, dhe i rëndësisë së të dhënit kontribut në komunitet”, pati thënë në atë kohë Scott.

Ajo ka thënë gjithashtu  se e ka admiruar Partonin gjatë gjithë jetës dhe puna me të ka qenë një moment i jashtëzakonshëm.

“Dolly na frymëzon të gjithëve me artin, humorin dhe mirësinë e saj. Ky koleksion e kap bukur këtë frymë dhe jam shumë krenare që adhuruesit mund të eksplorojnë një koleksion bizhuterish që i bën nder një figure të veçantë si Dolly Parton”, ka thënë ndër të tjera disenjatorja.