Showbiz

Dokumentari i Princit Harry dhe prezantueses Oprah Winfrey lansohet së shpejti

Foto: AP/Associated Press

Dokumentari disa pjesësh i Princit Harry dhe Oprah Winfreyt, i cili flet për shëndetin mendor, do të shfaqet premierë në platformën “Apple TV +” më 21 maj.

Projekti me titull “The Me You Can Not See”, i cili u bashkë-krijua dhe prodhua nga Duka i Sussexit dhe prezantuesja e njohur amerikane, i trajton çështjet e shëndetit mendor dhe mirëqenies duke u fokusuar në histori të njerëzve të njohur, përfshirë këtu muzikanten e shumeshpërblyer Lady Gaga dhe yllin e filmit “Hillbilly Elegy”, Glenn Close.

67-vjeçarja Winfrey e cila është e vendosur t’i luftojë stigmat rreth shëndetit mendor citohet të ketë thënë: “Tani më shumë se kurrë, ekziston nevoja e menjëhershme për ta zëvendësuar turpin që e rrethon shëndetin mendor me mençuri, dhembshuri dhe ndershmëri. Dokumentari ynë synon ta fillojë këtë bisedë anembanë glonit”.

Princi Harry kishte vënë re se shumica e njerëzve mbartin në vete një formë të traumës, humbjes ose pikëllimit të pazgjidhur. Duka 36-vjeçar është i përkushtuar për ta vërtetuar se ka fuqi në cenueshmëri, lidhje në empati dhe forcë në ndershmëri.

“Ne kemi lindur në jetë të ndryshme, jemi rritur në mjedise të ndryshme dhe si rezultat jemi të ekspozuar ndaj përvojave të ndryshme. Por përvoja jonë e përbashkët është se të gjithë jemi njerëz. Shumica prej nesh mbart një formë të traumës, humbjes ose pikëllimit të pazgjidhur, e cila ndihet dhe është shumë personale. Megjithatë, viti i fundit na ka treguar se të gjithë jemi të përfshirë në këtë eksperiencë së bashku, dhe shpresa ime është që ky projekt t’ua vërtetojë se ka fuqi në cenueshmëri, lidhje në empati dhe forcë në ndershmëri”, citohet të ketë thënë Harry.

Producentët e dokumentarit të ardhshëm i bashkuan forcat me 14 ekspertë të akredituar dhe të respektuar të shëndetit mendor, si dhe organizata të ndryshme të shëndetit mendor, për të ndihmuar në realizimin e këtij projekti.

“The Me You Can Not See”, njëherësh e shënon ribashkimin e Princit Harry me ikonën e televizionit, Oprah Winfrey, pas intervistës ekskluzive dhe intime e cila u publikua në fillim të këtij viti, dhe ku Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan Markle, folën për zhvendosjen nga Britania e Madhe në Amerikë, rritjen e familjes dhe racizmin që e kishin përjetuar sa ishin pjesë e familjes mbretërore.