Showbiz

Disa filma hollywoodian janë pjesë e programit të festivali të Venecies

Organizatorët e Festivalit të filmit në Venecie e kanë zbuluar listën e filmave pjesëmarrës për edicionin e sivjetmë të kësaj ngjarjeje kinematografike, e cila do të përcjellët me premierat botërore të disa filmave të shumëpritur nga publiku mbarë botëror, si “Dune” dhe “Last Night in Soho”.

Po ashtu në kuadër të këtij festivali, premierën në shtator do ta shënojë edhe projekti i ri i aktorëve, Matt Damon, Jodie Comer dhe Adam Driver, “The Last Duel”. Që të tre filmat e lartpërmendur do ta shfaqen jashtë konkurrencës për çmimin kryesor të festivalit, “Luani i Artë”.

Në mesin e projekteve hollywoodiane të cilët garojnë për shpërblimin kryesor janë: biografia e Princeshës Diana me titull “Spencer”, ku rolin protagonist e luan aktorja Kristen Stewart, filmi i Jane Campionit i realizuar nga Netflixi, “The Power of the Dog”, ku luan aktori i njohur britanik Benedict Cumberbatch, dhe drama e Paolo Sorrentinos “The Hand of God”.

Edhe filmi “The Lost Daughter” i cili e shënon debutimin regjisorial të aktores, Maggie Gyllenhaal, dhe ku luajnë aktorët Olivia Colman, Jessie Buckley dhe Dakota Johnson, gjithashtu do të jetë në garë për “Luanin e Artë”, njësoj sikurse filmi i ri i regjisorit spanjoll Pedro Almodovar. Në projektin me titull “Parallel Mothers” rolet kryesore i luajnë aktoret, Penelope Cruz dhe Milena Smit.

Festivali i Venecies po ashtu do ta prezantojë premierën botërore të serialit të limituar të kanalit HBO, “Scenes From A Marriage”, ku luajnë yjet e hollywoodit, Oscar Isaac dhe Jessica Chastain.

Regjisori i filmit “Parasite”, Bong Joon-ho do të drejtojë jurinë e sivjetme të ngjarjes më të vjetër kinematografike në botë, e cila përbëhet nga regjisorja e shpërblyer me “Oscar”, Chloé Zhao, aktorja franceze Virginie Efira, regjisori italian Saverio Costanzo, aktorja dhe producentja kanadeze Sarah Gadon, regjisori dokumentarëve nga Rumania, Alexander Nanau, dhe aktorja dhe kantautorja britanike, Cynthia Erivo.

Edicioni i 78-të i festivalit ndërkombëtarë të filmit në Venecie fillon më 1 shtator dhe përmbyllet me datën 11 të atij muaji, me ceremoninë glamuroze të ndarjes së shpërblimeve.