Showbiz

Diddy urdhërohet të mbahet në burg

Sean “Diddy” Combs

Sean “Diddy” Combs do të qëndrojë në paraburgim deri në nisjen e gjyqit ndaj tij për trafikim seksual.

Gjykatësi Robyn Tarnofsky ka njoftuar vendimin në gjykatën në Manhattan pas një debati të gjatë mes ekipeve ligjore mbi atë nëse Combs kishte rrezik që të arratisej, raportoi BBC. 

Prokurorët kanë argumentuar se pasuria e tij e madhe dhe natyra serioze e akuzave ndaj tij e bëjnë Combsin “jashtëzakonisht të rrezikshëm për komunitetin” dhe se mund të përpiqej t’i shmangej drejtësisë.

Reperi amerikan përballet me akuza serioze, përfshirë shantazhin, trafikimin seksual, mashtrimin, etj. Në padinë ndaj tij thuhet se ai përgatiti shfaqje seksuale dhe se përdori dhunë, drogë e para për të kontrolluar viktimat. Në pronat e tij thuhet se janë zbuluar video nga këto shfaqje.

Nëse shpallet fajtor ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.

Combs është deklaruar i pafajshëm para gjykatës të martën.