Aktori i njohur, Daniel Craig, e ka mbyllur javën e parë të transmetimit të filmit të tij më të fundit “James Bond” duke u nderuar me yll në “Walk of Fame” të Hollywoodit në Kaliforni.
Ylli i Craigut u zbulua jashtë Bulevardit 7007 në Hollywood, për nder të kodit imagjinar të spiunit britanik. Vetëm disa metra larg është ylli i paraardhësit të tij në rolin e Bondit, Sir Roger Moore.
Craig, i cili e ka portretizuar agjentin e famshëm 007 që nga viti 2006, ka thënë se ishte “nder i madh të ecësh nëpër Hollywood”.
Aktori 53-vjeçar u prezantua nga prodhuesit e Bondit, Michael G Wilson dhe Barbara Broccoli, së bashku me kolegun e tij në shfaqjen e fundit të 007-shit “No Time To Die”, Rami Malek. Para se të zbulohej ylli i tij, Craig ka thënë: “Michael Wilson dhe Barbara Brokoli, ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime, pa ju nuk do të isha këtu sot - faleminderit për fjalët të bukura! Faleminderit Rami për fjalët e bukura! Asnjëherë nuk kam menduar se do ta dëgjoja veten duke e thënë këtë, por është një nder i madh të ecësh nëpër Hollywood”.
“No Time To Die” ka gjeneruar lëvdata të shumta dhe ka fituar më së shumti në fundjavën e parë të hapjes krahasuar me çdo film tjetër “Bond” në Mbretërinë e Bashkuar – me gjithë vonesat e vazhdueshme në caktimin e datave për premierën e tij shkaku i pandemisë së koronavirusit.
Edhe
Ish-përzgjedhësja e aktorëve të Bondit: Asnjëri nga favoritët s’duhet të jetë agjenti i ri 007
Pas premierës së javës së shkuar në Londër filmi do të shfaqet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga e premtja.
Aktori Malek, i cili e fitoi një çmim “Oscar” për portretizimin e këngëtarit të grupit “Queen” Freddy Mercury, në filmin “Bohemian Rhapsody” ka luajtur rolin e të ligut në pjesën e fundit të aventurave të Bondit.
Duke folur në ceremoni, ai e vlerësoi Craigun si aktor dhe koleg.
“Të gjithë e dimë se ai është aktor i mrekullueshëm, është i përkushtuar, mund t’i përballojë të gjitha marifetet e tij me njërën dorë të lidhur pas shpinës dhe tjetrën duke mbajtur një Negroni”, ka thënë Malek.
Craig u bashkohet aktorëve të tjerë të Bondit, Pierce Brosnan, David Niven dhe Barry Nelson me yll në “Walk of Fame”, megjithëse i ndjeri Sir Sean Connery nuk ka yll.
Niven e luajti Bondin në versionin e vitit 1967 “Casino Royale”, në të cilin agjenti 007 paraqitet i qetë dhe në pension teksa tërhiqet përsëri në veprim.
Edhe
Top-lista me pesë kandidatët favoritë për rolin e James Bondit
Barry Nelson ishte aktori i parë që e luajti James Bondin në ekran në një përshtatje televizive njëorëshe të “Casino Royale” më 1954.
Yjet në “Walk of Fame” jepen çdo vit nga Chamber of Commerce, të zgjedhur nga qindra aplikime. Marrësit gjithashtu paguajnë një tarifë sponsorizimi prej 50 mijë dollarësh, e cila jepet për krijimin dhe instalimin e yllit të tyre, së bashku me mirëmbajtjen.