Aktorët, Colin Farrell, Brendan Gleeson, Barry Keoghan dhe Kerry Condon, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e dramës së tyre të re komike, “The Banshees of Inisherin”, të hënën më 5 shtator.

Filmi, i cili përfshihet në garën kryesore të Festivalit ndërkombëtar të filmit në Venecie, zë vend në një ishull pranë bregut perëndimor të Irlandës. Ai përqendrohet në personazhet, Padraic dhe Colm, dy shokë të përjetshëm marrëdhënia e të cilëve tronditet kur, Colm, papritmas vendos t’i japë fund miqësisë së tyre.
Brendan Gleeson dhe Colin Farrell, në të kaluarën kanë punuar bashkë në komedinë e vitit 2007, “In Bruges”.
“The Banshees of Inisherin” i cili vjen me skenar dhe regji të fituesit të çmimit “Oscar”, Martin McDonagh, do të lansohet nëpër kinematë botërore më 21 tetor të këtij viti.
Festivali i filmit në Venecie do të vazhdojë deri më 10 shtator, kur edhe shpallet fituesi i çmimit “Luani i Artë”.