Showbiz

Ciara fiton zemrat e grave afrikane me këngën e re

Ciara i ka lansuar disa minuta të videoprojektit të ri muzikor, i cili pritet të lansohet së shpejti dhe tashmë ka marrë kritika tejet pozitive.

Pas suksesit të “Level Up”, me këngën e re “Freak Me”, Ciara ka zgjedhur të sjellë tinguj pak më të butë dhe më të ngadaltë, të inspiruar nga muzika afrikane dhe atë e sjell në bashkëpunim me yllin nigerian, Tekno, transmeton emisioni Express në KTV.

I xhiruar në Afrikën Jugore, besohet se gjatë vizitës së saj të fundit, me rastin e përvjetorit të martesës me bashkëshortin Russell Wilson, videoja e lansuar në rrjetet sociale e sjell Ciaran duke i festuar traditat e bukura të afrikanëve. Ajo madje shfaqet duke e bërë vallëzimin e njohur të këtij shteti, i njohur me emrin Gwara Gwara.

Femrat afrikane janë ndarë shumë të kënaqura me këtë përfaqësim që ua ka bërë këngëtarja amerikane. Edhe pse kjo nuk është hera e pare që një artist amerikan e ka xhiruar klipin muzikor në Afrikë, megjithatë ky projekt i Ciaras edhe pse ende nuk është lansuar zyrtarisht, po konsiderohet më ndryshe.

Femrat afrikane ndjejnë se këngëtarja i ka portretizuar ato në mënyrë jo shumë seksuale, ekzotike apo fiktive. Ciara thjesht duket se është argëtuar me disa valltare të përfshira në prapavijë si dhe nuk ka hezituar ta falënderojë publikisht këngëtaren e famshme nigeriane Tiwa Savage që e ka inspiruar për këtë këngë.

Derisa Ciara vazhdon ta shënojë rikthimin e suksesshëm në skenën muzikore, kontinenti afrikan vazhdon të jetë i lumtur me përfshirjen e tyre në projektin e saj, duke e ndarë qendrën e vëmendjes së publikut mbarëbotëror, qoftë edhe për vetëm disa minuta.