Chris Pratt i është bashkuar zyrtarisht ekipit të aktorëve të filmit të ardhshëm, “Thor: Love And Thunder”. Lajmi për përfshirjen e tij në këtë projekt të suksesshëm të arkave filmike, tashmë është konfirmuar.
Pratt i cili e portretizon superheroin Star-Lord në filmat “Guardians Of The Galaxy”, ishte përfolur se do t’i bashkohet projektit të njohur të studios “Marvel”, në fillim të këtij viti, kur kolegu i tij Vin Diesel aksidentalisht e zbuloi lajmin se disa prej personazheve të “Guardians Of The Galaxy” do të përfshiheshin në filmin e ri “Thor”, transmeton Koha.
Por, pavarësisht komenteve të rastësishme të Dieselit, deri më tani asnjë personazh tjetër i filmave “Guardians Of The Galaxy”, nuk e ka konfirmuar lajmin se do të jenë pjesë e vazhdimit të katërt, “Thor: Love And Thunder”.
Xhirimet e projektit kinematografik shumë të dashur për publikun pritet të fillojnë në janar të vitit 2021, dhe në të Pratt pritet të luajë krahas yjeve të hollywoodit, Chris Hemsworth, Natalie Portman, Tessa Thompson dhe Christian Bale. Taika Waititi do të rikthehet në rolin e regjisorit të këtij vazhdimi, pas filmit të kaluar “Thor: Ragnarok”.
Pasi ishte shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit, filmi i shumëpritur “Thor: Love And Thunder” pritet të lansohet nëpër kinema, më 11 shkurt të vitit 2022.