Ceremonia e përvitshme e ndarjes së shpërblimeve muzikore “Academy of Country Music Awards”, planifikohej të mbahej më 5 prill në arenën “MGM Grand Garden” në Las Vegas, por ngjarja e cila do të prezantohet nga këngëtari Keith Urban, është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Organizatorët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për skenën e muzikës country, tashmë e kanë konfirmuar datën e re të mbajtjes së ceremonisë, që është 16 shtatori i këtij viti, por ende nuk e kanë zbuluar lokacionin ku do të zërë vend dhe emrat e performuesve të këtij edicioni, transmeton Koha.
Në një deklaratë për media, Kryeshefi Ekzekutiv i Akademisë së Muzikës Country, Damon Whiteside, tha: “Shëndeti dhe siguria e artistëve, fansave, industrisë, stafit dhe partnerëve tanë janë prioriteti kryesorë për ne. Kjo ceremoni është shumë e rëndësishme për industrinë e muzikës country, dhe Akademia bashkë me produksionin “Dick Clark” e kanë bërë të pamundurën për ta gjetur një zgjidhje të sigurt, në mënyrë që të kemi mundësi t’i nderojmë artistët e këtij komuniteti.”
Në mesin e këngëtarëve të nominuar sivjet për çmim “ACM Awards” janë: Justin Bieber me këngën “10,000 Hours” të sjellë në bashkëpunim me dyshen “Dan + Shay”, Maren Morris dhe Thomas Rhett, të cilët udhëheqin me nga pesë nominime, Lil Nas X, Blake Shelton dhe të tjerë.