Grupet “BTS” dhe “Coldplay” janë duke u shtyrë për vendin e parë në toplistën e këngëve më të mira në Britani të Madhe, me yllin e njohur të muzikës pop, Ed Sheeran.
Sipas të dhënave të fundit të siguruara nga Kompania Zyrtare e Listave, bashkëpunimi i ri mes grupeve “Coldplay” dhe “BTS” me titull, “My Universe”, ka arritur të pozicionohet në vendin e dytë të toplistës së këngëve më të mira, dhe i duhet t’i shes vetëm edhe 1000 kopje për ta arritur kampionin e kësaj liste, “Shivers”, nga Ed Sheeran.
Kantautori i njohur britanik i ka kaluar gjithsej 13 javë në maje të toplistës së këngëve më të mira, 11 javë me hitin “Bad Habits” dhe 2 të tjera me lansimin e fundit “Shivers”.
Kënga “My Universe” u lansua të premten me 24 shtator dhe është pjesë e albumit të ardhshëm të rok grupit, “Music Of The Spheres”. Bashkëpunimi i tyre me yjet e muzikës K-Pop është mirëpritur nga fansat anembanë botës, dhe vjen pasi që “BTS” dhe Chris Martin u përfshinë së bashku në një episod të emisionit special muzikor të platformës YouTube.
Në lajme të tjera, Ed Sheeran së fundmi ka shtuar data të koncerteve për turneun e tij të ardhshëm evropian, “The Mathematics Tour”, i cili fillon në prill dhe përmbyllet në shtator të vitit të ardhshëm.