Dua Lipa është bërë pjesë e listave të “albumeve më të mira të vitit” dhe “këngëve më të mira të vitit”, të përpiluara nga agjencia britanike e lajmeve BBC.
Mediumi i njohur britanik i ka radhitur albumet dhe këngët më të mira të vitit 2020, bazuar në 35 listat e publikuara në fundvit prej disa revistave muzikore, portaleve, gazetave dhe radiostacioneve më me ndikim në botë. Mes tyre përfshihen portal NME, revista “Rolling Stone”, radiot “BBC 6 Music” dhe “Double J” nga Australia, revista “Gaffa” nga Danimarka dhe disa të tjera.
Këngëtarja me prejardhje kosovare ka arritur që të jetë pjesë e të dy kategorive, duke u pozicionuar e nënta në listën e këngëve më të mira të vitit, me hitin “Physical”, dhe e katërta në atë të albumeve më të mira, me të dytin të realizuar prej saj - “Future Nostalgia”.
“I hijshëm, i freskët dhe mjaft bashkëkohor, i mbushur me këngë atraktive që të dërgojnë në kohë të ndryshme, si diskotekat ndërgalaktike me këngën ‘Levitating’. Në stërvitjet intensive me plot energji me këngën ‘Physical’. Të gjitha të kompletuara me hitin e padiskutueshëm ‘Don’t Start Now’, i cili e kaloi një vit të tërë në maje të top-listës së 100 këngëve më të mira në Britani të Madhe”, ka përshkruar BBC-ja albumin e këngëtares Lipa.
Për sa u përket pozitave të para të këtyre listave, “Albumi më i mirë i vitit 2020” është emëruar albumi “Fetch The Bolt Cutters” i Fiona Apples, ndërsa “Kënga më e mirë” është shpallur “WAP” e dyshes së njohur të repit, Cardi B dhe Megan Thee Stallion.