Showbiz

Astrit Stafai publikon albumin me dedikime

“Me muzikë ju gjeta, me të u rrita dhe me muzikë ju përcolla”, është mesazhi prapa albumit të ri të artistit Astrit Stafai. I rritur në një familje muzikantësh, për të muzika mbeti si një pasuri e trashëguar nga prindërit e tij Enver Stafai dhe Shahindere Bërlajolli – Stafai.

Në vitin kur humbi nënën e tij, albumi i tij mori një kahe tjetër. Kujtimi për prindërit e bëri që të kujtojë edhe artistët e ndjerë, të cilët i konsideron si një familje tjetër muzikore.

Kështu në albumin e tij të titulluar “Dedikim”, instrumentisti Astrit Stafai ka përcjellë melodi të këngëve të njohura shqiptare. Dhjetë këngë, ai i ka transformuar në instrumentale duke u shtrirë në treva të ndryshme shqiptare.

“Këngët kryesisht janë të repertorit mbarëkombëtar shqiptar, duke filluar nga këngët e Shqipërisë, të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. Jam munduar ta bëj një gërshetim të këngëve, por duke u bazuar që muzika jonë është e gjerë dhe përmban shumë këngë të bukura, gjë që mua më ka nxjerrë problem në përzgjedhjen e këngëve”, ka treguar instrumentisti Astrit Stafai.

Interpretimi i këngës “Në zabel të erdha”, i kujton këndimin e nënës së tij, Shahindere Bërlajolli- Stafai, kurse “Lule në Gostivar” e dërgon tek notat e kompozuara nga babai Enver Stafai.

“Ideja ka qenë krejtësisht ndryshe, unë pata menduar ta filloj albumin ashtu sic kam bërë zakonisht riorkestrimet e këngëve. Pata menduar ta sjell një ide nga Astriti, tash po bëhet një vit nga vdekja e nënës time Shahinderës dhe normalisht që edhe ideja e albumit murr një kahje tjetër. Nuk gjeta një mënyrë tjetër më të mirë për t’i kujtuar edhe artistët tjerë të cilët po i humbim dita – ditës”, është shprehur instrumentisti.

Instrumentisti Astrit Stafai nëpërmjet lojës me kitarë ka sjellë këto dhjetë interpretime në një frymë të re. Për të përcjellë edhe më shumë emocion, ai i ka shoqëruar ato edhe me videoklipe.

“Albumi konsiderohet që ka një frymë etno-jazz, mirëpo e kam trajtuar kitarën klasike në forma të ndryshme, duke filluar nga klasikja, jazz, funk- jazz. Aty jam munduar t’i bëj bashkë rryma të ndryshme muzikore”, ka theksuar tutje ai.

Astrit Stafai planifikon që albumin ta promovojë edhe me koncerte në vende të rajonit dhe në Kosovë. Gjatë gjithë kohës, ai nuk është duke iu ndarë studios së tij muzikore, prej nga planifikon të nxjerrë një album me kompozime autentike.

“Unë kam planifikuar që albumin ta shpalos me formacion ku unë do të luaj solo, por me përcjelljen e bendit që t’ia japin një ngjyrë akustike. Ideja është që të koncertohet në qendra shqiptare, prej Shkupit, Tiranës, Prishtinës dhe pastaj edhe në qendra të tjera”, ka treguar ai.

Artisti Astri Stafai është i lidhur me lojën në instrumentet me tela, nga ato klasike deri tek ato tradicionale e orientale. Duke i ndërlidhur ato mes vete, ai premton të sjellë edhe shumë projekte të reja.