EXPRESS

“PriVocalFest” mbyllet me këngët që i japin jehonë së kaluarës

Me mesazhe të fuqishme është mbyllur edicioni i gjashtë i “Prishtina International Vocal Festival”. Ceylan Taci, këngëtarja me origjinë shqiptare, me tinguj e vargje ka sjellë jehonën e së kaluarës dhe gjurmët e tyre në të tashmen. Janë përtej këngëve, pasqyrojnë shpirtin artistik, rebelimin e protestën ndaj mentalitetit të shoqërisë dhe përplot mesazhe brenda një koncerti. Ka qenë një lloj albumi me përjetime emocionesh.

Bashkë me bendin e udhëhequr nga poliinstrumentisti Astrit Stafai, që e ka aranzhuar muzikën dhe ka interpretuar edhe në kitarë, Xhemil Gjinin në perkusione dhe Adorel Haxhiajn në violonçel, koncertin ”Zëri i rrënjës” e kanë bërë tejet artistik.

Taci ngre kontraste me këngë e poezi. Të fundit janë më se poetike, të thella, derisa tekstet e këngëve janë përplot shprehje e fraza popullore që vijnë si mallkime. Madje ajo mesazhet te publiku i jep në të njëjtën formë – duke përdorur fjalë të urta. Ngjan në koncert tejet relaksues dhe se para argëtimit në qendër ka vetëdijesimin.

Theksi i këngëtares Ceylan Taci vjen këndshëm në interpretim të këngëve “U tuta”, “Këmbët”, Mshile gojën”, “Lëkura”, “Rrënja”, “Kajti daja”, “Mr. Photograph” dhe “Rashë në bokë”.

Edhe pse nuk flet shqip, fjalët e saj janë tejet të pastra dhe vijnë si version gegë i theksuar. Këngët kanë qenë tejet të këndshme bashkë me pjesët poetike që i kanë paraprirë interpretimit të disa këngëve. Ato i kanë bërë krijime edhe më artistike. Muzika, në anën tjetër, është përplot ritme moderne jazz-i.

Këngëtarja e lindur dhe e rritur në Belgjikë ka treguar se këngët i ka shkruar për t’u kthyer në rrënjët e gjuhës shqipe.

“Edhe pse jam lindur në Belgjikë e ndiej gjithmonë kulturën time dhe gjithmonë kam kënduar këngë shqipe e ritmet ballkanike me nënën time në shtëpi. Pastaj u mësova të këndoja dhe kur babai dhe nëna vdiqën desha të kthehesha në rrënjët e gjuhës sime, sepse për mua është shumë e rëndësishme. Fillova të mësoja disa fjalë dhe më pas u bë diçka që më frymëzoi. Një fjalë u bë një këngë”.

Poliinstrumentisti Astrit Stafai e ka vlerësuar koncertin si eksperiencë shumë të bukur dhe të një stili më ndryshe. Ka thënë se krejt kishte nisur me këngën “Rrënjë”, prej ku edhe kishin nisur ciklin e këngëve për koncertin “Zëri i rrënjës”.

“Ishte një përvojë e mrekullueshme duke pasur parasysh që i takoj një brezi të muzikantëve që muzikën e kemi kultivuar shumë zhanre, duke i studiuar ato në të njëjtën kohë. Ka qenë eksperiencë e mrekullueshme duke pasur parasysh edhe zonjën Ceylan, e cila para tre-katër muajsh na ka bërë ftesë për të bërë një koncert të tillë. Mua më pëlqeu ideja, koncepti, përmbajtja e teksteve dhe natyra e këngës se si ajo e kishte ideuar. Më pas i mora vijat melodike dhe i realizova duke i bërë edhe aranzhimet e koncertit të sontshëm”.

Koncerti i tyre edhe ka shënuar fundin e edicionit të sivjetmë, të gjashtit me radhë, të “Prishtina International Vocal Festival”.

“Edicionit të gjashtë të ‘Pri Vocal Festit’ i erdhi fundi. Festivali ka filluar nga data 4 deri sot më 14 tetor. I gjithë publiku ka pasur mundësi të ndjekë gjithsej shtatë koncerte, ka qenë laramani e artistëve, duke filluar nga ata të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, gjithashtu edhe jashtë vendit. Çdo gjë ka shkuar për mrekulli, nuk kemi pasur diçka të befasishme”, deklaroi Dea Xhemajli.

Si festival që në qendër ka vokalin, “Prishtina International Vocal Festival” për shtatë net ka ndërthurur emocionet me muzikën. Është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik.