Autoritetet e Kalifornisë ende nuk kanë mundur të gjurmojnë aktorin e zhdukur Julian Sands, 12 ditë pasi ai u zhduk, raporton BBC.
Aktori britanik, 65 vjeç, u zhduk më 13 janar në malet San Gabriel, në zonën Baldy Bowl, në veri të Los Angelesit.
Sherifi i qarkut San Bernardino ka thënë se janë bërë një sërë përpjekjesh, duke përfshirë një kërkim ajror për aktorin. Ai thekson gjithashtu se kushtet e motit, edhe pse jo ideale, i lejojnë ekipet tokësore të kryejnë punën e tyre. Megjithatë, në zonat me lartësi më të madhe, kërkimi nuk është ende i mundur për shkak të kushteve të motit.
Zyra e sherifit ka thënë se zona ku u zhduk Sandsi është jashtëzakonisht e rrezikshme edhe për alpinistët me përvojë. Vetura e tij u gjet javën e kaluar, pranë vendit ku u raportua i zhdukur. Aktorët e tjerë dolën në mediat sociale për të shprehur shqetësimin për mirëqenien e Sandsit dhe familja e tij ndihmoi autoritetet në kërkim.
Sands ka luajtur në filma dhe seriale, duke përfshirë “24”, “Smallville” dhe “A Room with a View”.
Ai jetonte në Los Angeles që nga viti 2020.