Vendimi i këngëtares Arta Bajrami, që mos të jetë e pranishme në media, tashmë ka një shpjegim. Është puna e vazhdueshme që ajo po e bën në studio sa i përket projekteve të reja, por gjithashtu edhe shtatzënia e saj.
Këngëtarja për emisionin Express ka bërë të ditur se është në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ajo tashmë është në pritje të një vajze e cila do të vijë në jetë në dhjetor të këtij viti.
Arta për Express ka treguar se aktualisht është në muajin e gjashtë të shtatzënisë dhe se gjendja e saj shëndetësore është e mirë.
“Gjithçka ka shkuar në rregull deri më tani. Kam menduar se do të kem probleme pasi nuk është kohë e gjatë që kur kam lindur djalin, por për fat gjithçka ka shkuar mirë. Po pres një vajzë e cila sipas mjekëve është në gjendje të mirë shëndetësore. Jam shumë e lumtur dhe këtë kohë po mundohem ta shfrytëzoj maksimalisht për të punuar në studio, në mënyrë që pas lindjes t’i rikthehem projekteve muzikore. Jam aktualisht shumë e angazhuar pasi përveç punës në studio, kam edhe dy fëmijët e tjerë të cilat duan kujdesin dhe përkushtimin tim e po ashtu edhe në mbrëmje muzikore vazhdoj të jem ende aktive”, ka deklaruar Arta Bajrami.
Projekti i saj i fundit është ai me titull “A dalim” e publikuar javën e kaluar edhe me videoklip.