Këngëtaret Ariana Grande dhe Lady Gaga ishin dy nga yjet më të përfolura të natës së ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards (VMA).
Grande ka marrë dy çmime, atë për “Videoklipin e vitit” dhe “Videoklipi më i mirë pop”. Ndërkohë që po pranonte trofetë, publiku e duartrokiti shumë kur e falënderoi “psikologun dhe personat homoseksualë”.
Gaga, më e nominuara e natës, ka fituar çmimet “Artistja e vitit” e më pas edhe ka performuar. Ajo ka dalë në skenën e Madison Square Graden pas fjalimit të pranimit të çmimit, gjë që e bëri audiencën të gjallërohej, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Gaga në deklaratat e mëhershme ka folur për kuptimin e thellë që ka arti.

“Të qenit artist është një lloj përpjekje për t'i bashkuar shpirtrat e njerëzve në mbarë botën”, ka thënë Gaga, e cila ka performuar këngët “Abracadabra” dhe “The Dead Dance”. Kjo e fundit u bë pjesë e kolonës zanore të serialit të njohur të plaformës Netflix, “Wednesday”.
Ajo ka thënë gjithashtu se të qenit artist është disiplinë dhe artizanat për të arritur ta prekësh zemrës e njerëzve e të ju rikujtosh të ëndërrojnë.
“Të jesh artist është përgjegjësi për të qeshur, të kërcesh e të qash”, ka thënë këngëtarja.
Ajo ia ka dedikuar trofeun fansave si dhe ka nderuar të fejuarin e saj, Michael Polansky, i cili ka qenë pjesë e produksionit të albumit të saj të fundit “Mayhem”.
“Të krijoj me ty ishte diçka shumë e bukur”, ka thënë ajo.
Nderime për Maria Careyn and Ozzy Osbournen
Këngëtarja e mirënjohur, Mariah Carey, pranoi dashurinë që i dhanë fansat si dhe tregoi për historinë e karrierës së saj ndërkohë që pranoi çmimin “Video Vanguard”.
Grande e prezantoi atë në skenë duke e quajtur zërin e saj “kolona zanore e gjithë jetës tonë”.
“Si vokaliste, ka vetëm një ‘mbretëreshë’ dhe ajo është Mariah”, ka thënë Grande.

Ndërkohë që po dilte në skenë me veshje vezulluese, Carey ka kënduar hitet që i dhanë kuptim emrit të saj si “Fantasy”, “We Belong Together” e “Obsessed”. Performanca ka përfshirë edhe këngë nga albumi i saj “The Emancipation of Mimi”, i cili së fundmi ka shënuar 20-vjetorin e publikumit.
“Nuk po mund ta besoj se sonte kam fituar çmimin e parë VMA”, ka thënë Carrey, e cila pyeti me shaka se çfarë ishin duke pritur, e pastaj i falënderoi të gjithë duke iu shprehur dashuri.
Këngëtari tashmë i ndjerë, Ozzy Osbourne, u nderua përmes disa performancave të grupeve të njohura. Ne skenë dolën anëtarët e grupit “Aerosmith” Steven Tyler dhe Joe Perry, grupi britanik “YOUNGBLUD” dhe Nuno Bettencourt për të përformuar hitet më të njohura të Osbournes përfshirë “Crazy Train”, “Changes” dhe “Mama, I’m Coming Home”.

Djali i Osbournes, Jack dhe diska nga fëmijët e tij, kanë ndarë një videomesazh për shikuesit për muzikantin e dashur.
“E di me siguri që ai do të gëzohej shumë t'i shihte këta muzikantë të mëdhenj që vazhdojnë trashëgiminë e tij dhe ndihmojnë ‘t'i inspirojnë gjeneratat e reja të rokerëve”, ka thënë Jack Osbourne.
Busta Rhymes dhe Rickey Martin nderuan historinë e MTV-së
Ylli i njohur, Busta Rhymes u nderua me çmimin e parë “MTV VMA Rock the Bells Visionary Award” dhe ka performuar disa nga hitet e tij përfshirë “Gimme Some More”, “Scenario”, “Put Your Hans Where my Eyes Could See” dhe “Pass the Courvoisier, Part II”. Atij iu bashkuan në skenë artistë të tjerë si Lucas, Papoose dhe GloRilla ndërkohë që i ndihmonin t’i performonte këngët bashkë me ta.
Përgjatë fjalimit, Rhymes ka nderuar prezantuesen e ndjerë të MTV-së, Ananda Lewis, e cila u bë personalitet televiziv shumë i dashur për publikun gjatë viteve ’90.

“Grua e jashtëzakonshme që më donte mua dhe të gjithë ne. Ajo e donte kulturën shumë. Më mungon shumë e ndjera, e madhja, e jashtëzakonshmja, perandorja, Ananda Lewis”, ka thënë ai për prezantuesen, e cila ka vdekur në muajin qershor pasi ishte diagnostikuar më kancer të gjirit.
Artisti i njohur, Ricky Martin mori për herë të parë çmimin “Ikona Latine” dhe performoi në skenën kryesore të spektaklit. Ai ka folur për 40 vjetet e karrierës, duke ia dedikuar shpërblimin katër fëmijëve të tij.

“Fillove të punoj që kur isha fëmijë dhe jemi ende këtu. Në vetëm duam t’i bashkojmë vendet, vetëm duam të thyejmë barriera dhe vetëm duam ta mbajmë gjallë muzikën”, ka thënë Martin.
Doja Cat elektrizon MTV-në
Ndërsa këngëtari i njohur LL Cool J, i cili ishte udhëheqësi i spektaklit, e po jepte fjalimin e hapjes, u ndërpre nga artistja Doja Cat e cila, me dukjen e saj, po emitonte personalitetin e njohur të MTV-së nga vitet ’80, Max Headrom. Mesazhi i saj u transformua në një lloj performance me daljen në skenë të yllit Kenny G.
Doja Cat, e cila, në tepihun e kuq të ngjarjes u shfaq duke përtypur buzëkuqin në vend të çamçakëzit, bëri shaka në skenë me performimin e këngës “Jelous Type”.
@apnewsentertainment Doja Cat eats her red lipstick while walking the red carpet at the MTV Video Music Awards in New York. #vmas #dojacat
♬ original sound - AP Entertainment - AP Entertainment
Ndërkohë, historia po vazhdonte me Taylor Swift dhe Beyonce që garonin për t’u bërë artistet më të shpërblyera në historinë e VMA-ve. Secila kishte nga 30 çmime dhe ishin të nominuara vetëm në kategorinë “Artisti i vitit”, kështu që fitorja e Gagas do t’i lërë të barabarta edhe për një vit.
Performues të tjerë ishin Conan Gray, Tate McRae, Jelly Roll, Post Malone, Alex Warren, J Balvin, Sabrina Carpenter dhe Sombr.
MTV VMA 2025 u transmetua për herë të parë nga CBS.