Një aktore irakiane ka thënë se po e padit gazetën “Ecomonist” për përdorimin e një fotografie të saj që e ilustron një artikull që tregon se gratë arabe janë “më të trasha” se burrat.
Enas Taleb tha se imazhi u përdor jashtë kontekstit, pa lejen e saj, dhe se ka shkelur lirinë e privatësinë e saj. Ajo pretendon po ashtu se i është bërë photoshop.
Aktorja e njohur tha se ka nisur veprimet ligjore në Britani, raportoi të mërkurën BBC.
Artikulli me titull “Pse gratë janë më të trasha se burrat në botën arabe”, u publikua në fund të korrikut, duke përdorur një fotografi të Talebit të bërë nëntë muaj më parë në Irak.
Artikulli argumenton se varfëria dhe kufizimet shoqërore që i mbajnë gratë në shtëpi janë mes arsyeve pse gratë arabe janë më mbipeshë se burrat.
Taleb e quajti artikullin “fyerje për gratë arabe në përgjithësi dhe gratë irakiane në veçanti”, duke pyetur gazetën pse “interesohet për gratë e trasha në botën arabe dhe jo në Evropë apo SHBA”.
Ajo tha se ndihet e shëndetshme dhe e lumtur me pamjen e saj.