Showbiz

Aktori shpërthen me kritika ndaj Disneyt

Aktori John Boyega ka thënë se personazhet me ngjyrë janë anashkaluar nga studioja filmike “Disney” për realizimin e pjesës së fundit të “Star Warsit”.

Londinezi ka luajtur rolin e Finnit në trilogjinë më të fundit, e cila ishte vitin e kaluar. Mirëpo ka thënë se filmbërësit nuk kanë ditur ç’të bëjnë me personazhin e tij dhe personazhet e tjera në filmin “The Rise of Skywalker”, transmeton KOHA.

“Ajo çka do t’i thosha Disneyt është që të mos sjellë një personazh me ngjyrë, t’i vërë në pah se janë shumë më të rëndësishëm në një film prestigjioz sesa që janë në të vërtetë dhe pastaj t’i shtyjnë mënjanë,” ka thënë aktori britanik për revistën “GQ”. “Nuk është gjë e mirë. Do ta them troç”, ka shtuar ai.

Boyega, i cili në episodet shtatë, tetë dhe nëntë të “Star Warsit” ka luajtur rolin e të arratisurit Stormtrooper në anën e Reyit si anëtar i Rezistencës, e ka pranuar se aktori “nuk është e nevojshme t’i pëlqejë gjithçka” në një film.

Ka thënë se Star Wars ka qenë “mundësi e shkëlqyer” dhe “gur vau”. Por ai ka shfryer pakënaqësitë e tij rreth ngjarjes në filmin “The Rise of Skywalker”.

“Njerëz, ju keni ditur ç’të bëni me Daisy Ridleyn, keni ditur ç’të bëni me Adam Driverin, keni ditur ç’të bëni me gjithë këta njerëz të tjerë”, ka thënë ai për revistën.

Personazhi i Ridleyt, Rey, dhe personazhi Kylo Ren, portretizuar nga Driver, ishin në zemër të komplotit rreth fatit të Jedit dhe dinastisë së Skywalkerit. Por filmbërësit nuk kanë ditur ç’të bëjnë me personazhin Fin apo personazhin Rose të Kellt Marie Tran, ka thënë Boyega.

Ai gjithashtu ka sugjeruar Naomi Ackie, aktoren britanike me ngjyrë, e cila luajti rolin e Jannahs dhe aktorin e lindur në Guatemalë, Oscar Isaac, i cili ka luajtur rolin e Poes, ishin margjinalizuar ngjashëm.