Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Aktoret e “Sex and the City” i përkrahin publikisht akuzueset e Chris Nothit

Sarah Jessica Parker, Cynthia Nixon dhe Kristin Davis e kanë shfaqur publikisht përkrahjen ndaj grave që e kanë akuzuar kolegun e tyre, Chris Noth, për sulm seksual.

Aktoret e serialit “And Just Like That” thonë se kanë mbetur të pikëlluara nga akuzat e ngritura kundër ish-kolegut të tyre, i cili në projektin e ri e përsërit rolin e Mr. Big, bashkëshorti i personazhit të Sarah Jessica Parker, por personazhi i tij vdes qysh në episodin e parë të serialit. Tutje, Parker, Nixon dhe Davis i lavdëruan akuzueset e tij që kishin forcën për të ngritur zërin rreth eksperiencës së tyre të rëndë.

Përmes një deklarate të përbashkët, aktoret thanë: “Jemi shumë të pikëlluara nga akuzat kundër Chris Nothit. Ne i mbështesim plotësisht të gjitha gratë që kanë marrë guximin të flasin dhe t’i ndajnë me publikun përjetimet e tyre të dhimbshme. E dimë se duhet të ketë qenë diçka e vështirë për ta bërë, prandaj i përgëzojmë për guximin që e kanë treguar”

Javën e kaluar, dy gra folën publikisht për revistën “The Hollywood Reporter” me ç’rast deklaruan se janë sulmuar seksualisht nga aktori 67-vjeçar.

Një grua e identifikuar vetëm sikur Zoe, tha se në vitin 2004 ishte përdhunuar nga aktori kur ajo ishte vetëm 24-vjeçare. Kurse, një grua tjetër e njohur me emrin Lily, deklaroi se ajo ishte 25-vjeçare kur kishte dalë në takim darke me Nothin i cili më pas e kishte sulmuar seksualisht. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015 në New York.

Aktori i cili së fundmi u pushua nga puna në serialin “The Equalizer”, ku ai e portretizonte një agjent të CIA-s krahas aktores Queen Latifah, si dhe u pushua si klient nga agjencia e talenteve, “A3 Artists Agency”, me të cilën kishte bashkëpunuar me vite, i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat kundër.

Edhe Sarah Jessica Parker i ka ndërprerë kontaktet me aktorin Chris Noth Showbiz Sarah Jessica Parker i ka ndërprerë kontaktet me aktorin Chris Noth

“Akuzat e ngritura kundër meje nga këto gra të cilat i kam takuar para disa vjetësh dhe dekadash, janë plotësisht të pavërteta. Këto histori mund të kenë qenë nga 30 vjet ose 30 ditë më parë, por për mua fjala jo gjithmonë do të thotë jo, dhe ky është një kufi të cilin nuk e kam kaluar kurrë. Është e vështirë të mos vihet në dyshim koha e daljes së këtyre historive. Nuk e di me siguri pse po dalin në sipërfaqe tani, por e di këtë: unë nuk i kam sulmuar këto gra”, ka deklaruar Noth në një intervistë për “The Hollywood Reporter”.

Chris Noth i cili nga viti 2012 është i martuar me aktoren kanadeze, Tara Wilson, megjithëkëtë ka premtuar se do të bashkëpunojë me autoritetet nëse policia përfshihet në këtë çështje dhe rasti i tij shkon në gjykatë.