Reperi i njohur amerikan A$AP Rocky u hodh në krahët e partneres së tij, këngëtares Rihanna, të martën, sapo gjykata shpalli vendimin “i pafajshëm” në gjyqin për dy akuza të sulmit me armë gjysmë-automatike.
Salla e gjyqit, e mbushur me fansa të Rockyt dhe Rihannës, shpërtheu në brohoritje sapo ai u ngrit nga vendi i tij dhe vrapoi drejt galerisë ku ishte ulur Rihanna, mes nënës dhe motrës së tij. Çifti u përqafua mes lotëve, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
VIDEO:
Pas një gjyqi tre javor, juria brenda orësh nxori vendimin që e shpëtoi Rockyn nga një dënim që ia rrezikonte deri në 20 vjet burgim.
“Faleminderit që më shpëtuat jetën”, iu drejtua ai jurisë teksa ata largoheshin nga salla.
Gjyqtari Mark Arnold i tha reperit: “Zoti Mayers, jeni i lirë”.

Rrezikoi burgun, por vendosi të luftojë
Para fillimit të gjyqit, Rocky refuzoi marrëveshjen me prokurorinë që do ta dënonte me vetëm 6 muaj burgim në këmbim të pranimit të fajësisë. Ai insistoi se ishte i pafajshëm dhe vendosi t’ia lërë jurisë vendimin.
Rihanna përqafoi avokatët mbrojtës pas vendimit. Edhe Rocky bëri të njëjtën gjë. Ajo ishte e pranishme në sallën e gjyqit disa herë gjatë procesit dhe në disa raste solli edhe dy djemtë e tyre, RZA (2 vjeç) dhe Riot Rose (1 vjeç).

Çfarë ndodhi natën e incidentit?
Prokuroria pretendonte se Rocky kishte pasur konflikt me ish-mikun e tij, A$AP Relli, anëtar i grupit të tyre A$AP Mob. Ata u takuan në Hollywood më 6 nëntor 2021, dhe pas një përleshjeje, Rocky nxori një armë dhe qëlloi dy herë drejt Rellit.
Relli ka pretenduar se një plumb i kishte gërvishtur kyçin e dorës, por nuk kishte pësuar lëndime serioze.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka thënë se Rocky mbante me vete një armë false që lëshonte fishekë bosh, të cilën e kishte marrë nga një xhirim i një videoklipi muzikor.
Avokatët e tij kanë argumentuar se ai e përdori atë për t’i bërë presion Rellit, i cili po sulmonte një mik të tyre.
Juria u udhëzua të shqyrtonte nëse Rocky kishte vepruar në vetëmbrojtje, dhe nëse po, ata mund ta shpallnin të pafajshëm. Megjithatë, juria nuk ishte e detyruar të shpjegonte arsyetimin e tyre, vetëm të arrinte në përfundim.
“Ata e kuptuan që ky ishte një gjyq i bazuar në mashtrime. Ai refuzoi një marrëveshje që do t’i jepte pak ditë burgim, sepse ishte i pafajshëm”, ka thënë avokati i Rockyt, Joe Tacopina.

Prokuroria: “Fama nuk e vendos askënd mbi ligjin”
Prokurori John Lewin, gjatë fjalës së tij përmbyllës, kërkoi që juria të mos ndikohej nga fama e Rockyt apo prania e Rihannës në sallë.
“Ju nuk mund të merrni parasysh si ndikon ky vendim tek Rihanna dhe fëmijët e tyre. Secili është përgjegjës për veprimet e veta”, ka thënë ai.
Pas vendimit, prokurori i Qarkut, Nathan Hochman, ka thënë se ai respektonte vendimin e jurisë, por shtoi se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, pavarësisht statusit të të akuzuarve.
“Fama nuk e vendos askënd mbi ligjin”, ka thënë ai.
Çfarë e pret Rockyn tani?
Vendimi erdhi në një moment të rëndësishëm për Rockyn, i cili tani mund të fokusohet në karrierën e tij. Ai është planifikuar të jetë performuesi kryesor në festivalin “Rolling Loud” në muajin mars, do të jetë bashkë-nikoqir i ngjarjes së madhe të modës “Met Gala” në muajin maj dhe do të luajë përkrah aktorit Denzel Washington në filmin e ri të regjisorit Spike Lee, “Highest 2 Lowest”, që pritet të dalë në verë.
Teksa largohej nga gjykata mes një turme fotografësh dhe fansash, ai u shpreh i lehtësuar.
“E gjithë kjo ka qenë çmenduri për katër vjet me radhë. Jam mirënjohës dhe ndihem i bekuar që jam i lirë e mund të flas me ju sot”, ka thënë ai.
Ndërkohë, avokati i tij përfundoi duke thënë se u befasua nga reagimi i Rockyt.
“Edhe ne u befasuam nga ai moment. Nuk e dija se Rocky ishte kaq atletik. Por ai ishte emocion i vërtetë, e pamë të gjithë”, ka thënë ai.