Filmi “Angry Birds” nga viti 2016 mund të mos ketë qenë adaptimi më i mirë i videolojërave në histori, por sigurisht që ka pasur sukses të konsiderueshëm, duke i fituar 352 milionë dollarë në të gjithë botën. Një fitim i tillë na ka sjellë edhe vazhdimin, ndërsa “The Angry Birds Movie 2” tani është prezantuar edhe me teaser trilerin e parë.
Filmi fokusohet në një karakter krejtësisht të ri, Zeta, të cilit ia huazon zërin Leslie Jones. Zeta jeton në një ishull të akullt dhe të izoluar dhe është lodhur nga gjërat e ngrira, të cilat edhe kur i shkrinë dalin nga kontrolli.

Plani i Zeta është ta gjejë një vend të ri për të jetuar dhe të përpiqet ta vendosë kontaktin e parë (ose ndoshta të shkatërrojë çdo gjë para vetes) duke hedhur toptha akulli.
Një nga këta toptha akulli e godet ishullin ku jetojnë zogjtë dhe derrat, gjë që mund të nënkuptojë që heronjtë tanë potencialisht mund të bashkohen me armiqtë e tyre të deritanishëm për ta parandaluar një kërcënim të ri, shkruan KOHA Ditore.
Ekipi i aktorëve nga origjinali, në të cilin luajnë Jason Sudeikis, Josh Gad, Danny McBride, Bill Hader dhe Peter Dinklage, do të kthehen edhe në aventurën e re, ku do të shtohen Sterling K. Brown, Awkwafine dhe Nicki Minaj.
Zogjtë do të fluturojnë përsëri nga 16 gushti, kur filmi do të fillojë me shfaqjen.